Shfaqur 1 - 10 rezultate nga 10,000

Bonusi i bebes ndryshon nga 2027/ Zv.ministrja e Shëndetësisë për Klan News: Ja sa para do të marrin prindërit çdo muaj

11 nëntor 2026 – Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon ndryshime në disa prej skemave të mbështetjes sociale, mes të cilave zgjerimin e bonusit të bebes, rritjen e pagesës për familjet kujdestare dhe dyfishimin e përfitimeve mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në një intervistë në Klan News me gazetarin Erion Dushi, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, ka shpjeguar masat që pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm, duke u ndalur edhe te shërbimet e reja shëndetësore dhe sociale. Një nga ndryshimet kryesore lidhet me bonusin e bebes, i cili nga një pagesë e vetme në momentin e lindjes do të kthehet në një përfitim mujor për pesë vitet e para të jetës së fëmijës. Sipas Seferit, skema e re parashikon 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin. Masa pritet të nisë nga 1 korriku i vitit 2027. “Ky buxhet parashikon për herë të parë zgjerimin e subvencionit të bonusit të bebes, duke e shtrirë atë në një përfitim mujor për familjet, për çdo fëmijë. Do të kemi një përfitim prej 5 mijë lekësh për fëmijën e parë, 7 mijë lekësh për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekësh për fëmijën e tretë. Kjo politikë do të fillojë nga 1 korriku i vitit 2027”, tha Seferi. Deri më tani, bonusi jepej vetëm një herë, në momentin e lindjes, në vlerën 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin. Me skemën e re, mbështetja do të shtrihet gjatë pesë viteve të para të jetës së fëmijës. Seferi bëri të ditur se programi synon të jetë universal dhe të përfshijë çdo fëmijë të lindur në Shqipëri, ndërsa modalitetet e zbatimit janë ende në fazë vlerësimi. “Kjo është një mënyrë për të mbështetur familjet, por sigurisht edhe çdo fëmijë për rritjen, edukimin dhe gjithçka që i nevojitet në pesë vitet e para të jetës. Për këtë arsye, përfitimi do të shtrihet nga mosha zero deri në pesë vjeç. Programi do të jetë universal dhe do të mbulojë çdo fëmijë që lind në Republikën e Shqipërisë, duke i siguruar një mbështetje mujore të vazhdueshme”, u shpreh ajo. Një tjetër masë e parashikuar në projektbuxhet lidhet me familjet kujdestare, të cilat marrin përsipër përkujdesjen për fëmijët që nuk mund të jetojnë me prindërit biologjikë ose që janë jashtë kujdesit prindëror. Pagesa mujore për çdo fëmijë do të rritet nga 9 mijë në 12 mijë lekë, ndërsa familjet do të përfitojnë edhe 30 mijë lekë një herë në vit për shpenzime të tjera, si veshmbathje dhe nevoja shkollore. Sipas Seferit, me këtë skemë synohet të mbështeten rreth 200 familje kujdestare gjatë vitit 2027. Ajo theksoi se qëllimi është që fëmijët të rriten në një mjedis familjar dhe të mos dërgohen në institucione rezidenciale. “Ne sot do të paguajmë 12 mijë lekë për çdo fëmijë që vendoset në familjen kujdestare. Kjo pagesë do të jetë mujore dhe, përveç saj, familja do të marrë edhe 30 mijë lekë një herë në vit për shpenzimet e ndryshme që mund të ketë fëmija, për shkollën, veshmbathjen dhe nevoja të tjera. Kjo përbën paketën e plotë të mbështetjes për familjet kujdestare. Kemi parashikuar që të kemi rreth 200 familje të tilla, të cilat do të mbështeten nga buxheti i shtetit për vitin 2027”, shpjegoi ajo. Sa i përket ndihmës ekonomike, Seferi bëri të ditur se në projektbuxhet janë parashikuar 6.8 miliardë lekë për rreth 59 mijë familje. Përveç pagesës mujore, sipas saj, synohet që përfituesit të përfshihen në programe punësimi dhe formimi profesional, me qëllim që të mund të dalin gradualisht nga skema. Në fushën e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara, projektbuxheti parashikon dyfishimin e pagesave mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Për këtë kategori janë parashikuar rreth 19 miliardë lekë, ndërsa Seferi bëri të ditur se në vend janë rreth 99 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë të tyre. Projektbuxheti parashikon gjithashtu 480 milionë lekë për zgjerimin e shërbimeve sociale gjatë vitit 2027. Deri më tani, në bashkëpunim me pushtetin vendor, janë ngritur 98 shërbime për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët pa kujdes prindëror dhe gratë e dhunuara. Një tjetër masë lidhet me zgjerimin e shërbimeve për personat në spektrin e autizmit. Seferi tha se do të ngrihet një qendër e re për të rinjtë mbi 18 vjeç, ndërsa në spitalin e Peqinit parashikohet një qendër rehabilituese për personat mbi 21 vjeç me autizëm të rënduar. Aktualisht, në vend funksionojnë tetë qendra publike zhvillimi, ku marrin shërbime rreth 1,200 persona. Në pjesën e shërbimeve shëndetësore, zëvendësministrja u ndal edhe te PET Scan, duke bërë të ditur se synohet që aparatura të vihet në funksion brenda muajit janar. Për këtë qëllim, ekipet po punojnë për përgatitjen dhe trajnimin e personelit që do të ofrojë shërbimin. Një tjetër ndryshim është heqja e kufirit të moshës për kontrollin shëndetësor bazë, Check-up-in, i cili deri më tani ofrohej për qytetarët nga 35 deri në 70 vjeç. Sipas Seferit, shërbimi do të jetë falas për çdo qytetar, pa kufizim moshe. “Check-up-i është një mundësi e artë për vlerësimin shëndetësor të çdo personi. Heqja e fashës së moshës krijon mundësinë që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ta kryejë këtë kontroll falas. Më parë shërbimi ofrohej për moshën 35 deri në 70 vjeç, ndërsa tashmë nuk do të ketë më kufizim moshe. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të kujdesen për shëndetin dhe të përfitojnë nga ky shërbim”, deklaroi ajo.

Babai i Meghan Markle rikthehet në paraburgim federal në SHBA

Babai 82-vjeçar i Meghan Markle, Thomas Markle, është arrestuar sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak ditë pasi ishte liruar me kusht, pasi dyshohet se ka hequr pajisjen elektronike të monitorimit nga kyçi i këmbës. Lajmi është bërë i ditur të martën nga autoritetet amerikane. Thomas Markle ndodhet tashmë në paraburgim, në pritje të një seance në gjykatën federale në Tampa të Floridës. Sipas asaj që bën me dije Reuters, Markle e preu byzylykun elektronik rreth orës 01:45 të mëngjesit dhe u arrestua pak më vonë. Arrestimi i tij i dytë vjen vetëm pak ditë pas ndalimit të parë, të premten e kaluar. Autoritetet kishin sekuestruar rreth 78 materiale, në të cilat dyshohet se përmbaheshin imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve. Materialet u gjetën në njësi magazinimi në zonën e Los Angeles-it, të cilat Markle i kishte marrë me qira që prej vitit 2008. Gjatë arrestimit të parë, ai u mor me ambulancë nga një qendër kujdesi për të moshuarit në Lakeland. Disa orë më vonë, një gjykatës vendosi lirimin e tij me kusht, duke i kërkuar që të mbante pajisjen elektronike të monitorimit. Gjykata urdhëroi gjithashtu kryerjen e një ekzaminimi për të vlerësuar aftësinë e tij mendore për të përballuar procesin gjyqësor, si dhe dorëzimin e një raporti deri më 20 nëntor. Vajza e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, është shprehur më herët se ishte “thellësisht e tronditur” nga akuzat për gjetjen e një koleksioni me imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve në ish-shtëpinë e të atit. Ajo bëri gjithashtu të ditur se në vitin 2019 në polici në Londër ishte dërguar një letër që përmbante pretendime shqetësuese për babanë e saj. Klan News

Arrestohet ish-ministri serb Rade Basta, dyshohet për abuzim me fondet publike

11 Nëntor 2026 – Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është vënë në pranga në Beograd, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorime financiare gjatë periudhës kur ishte në krye të ndërmarrjes publike “Beogradske elektrane”. Sipas raportimeve të mediave serbe, ish-zyrtari dyshohet se ka autorizuar dhënien e donacioneve pa një arsyetim të ligjshëm, duke i shkaktuar institucionit dëme financiare që llogariten në dhjetëra miliona dinarë. Nga hetimet paraprake dyshohet se paratë nga buxheti i ndërmarrjes janë ndarë për disa organizata sportive, mes tyre klube futbolli, basketbolli dhe një klub kalërimi, pa përmbushur kriteret dhe kushtet e nevojshme për përfitimin e këtyre fondeve. Operacioni për arrestimin e Bastës është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd. Në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të njësisë për luftimin e korrupsionit, të cilët kanë kryer kontrolle dhe bastisje në disa lokacione. Në kuadër të kësaj çështjeje, autoritetet kanë shoqëruar edhe persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në veprimtarinë që po hetohet. Rade Basta ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë së Serbisë nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023. Mandati i tij përfundoi pas tensioneve dhe përplasjeve politike, ku një nga çështjet që shkaktoi debat ishte deklarimi i tij publik në mbështetje të mundësisë që Serbia të vendoste sanksione ndaj Rusisë, pas nisjes së agresionit kundër Ukrainës. Pas largimit nga posti ministror, Basta themeloi subjektin politik të quajtur “Rruga Evropiane”. Ndërkohë, hetimet për dyshimet mbi keqpërdorimin e fondeve në ndërmarrjen publike “Beogradske elektrane” vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë përgjegjësitë e personave të përfshirë në këtë rast.

SHBA, presion Kongresit për Iranin dhe tarifat

Një pjesë dërrmuese e amerikanëve kërkon ndërhyrjen e Kongresit për t’i dhënë fund luftës me Iranin, si dhe heqjen e tarifave tregtare të vendosura nga presidenti Donald Trump. Pakënaqësia e qytetarëve lidhet jo vetëm me përshkallëzimin e konfliktit, por edhe me pasojat ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës. Këto janë gjetjet e një sondazhi të ri të agjencisë Reuters, ku 71% e të anketuarve mbështesin miratimin e një ligji që do t’i japë fund luftës me Iranin. Kjo kërkesë mbështetet nga 93% e demokratëve dhe 51% e republikanëve në kongres. 62% e amerikanëve janë pro shfuqizimit të tarifave mbi importet, të vendosura nga administrata Trump. Mbështetja për presidentin Trump ka zbritur në 32%. Edhe demokratët nuk gëzojnë mbështetje të gjerë, me 51 për qind të amerikanëve që shprehen negativisht ndaj tyre. Ky sondazh i Reuters vjen pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, ku ata siguruan shumicën në të dyja dhomat që prej vitit 2008. Demokratët pritet të marrin zyrtarisht detyrën më 3 janar. Klan News

Tre të akuzuar nga SHBA-të për terrorizëm

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ngritur tetë akuza ndaj tre personave, të cilët dyshohet se kanë organizuar një seri sulmesh dhe komplotesh terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, në mbështetje të interesave të Iranit. Sipas aktakuzës, tre të dyshuarit, Mohsen Mohajeri, Mohammad Ali al-Hassani dhe Mohammad Baqer Saad Dawood al-Saadi, dyshohet se kanë koordinruar sulme përmes një grupimi të quajtur Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiya, i cili mori përgjegjësinë për 18 sulme në Evropë gjatë pranverës së vitit 2026. Shtatë prej tyre, sipas autoriteteve amerikane, ndodhën në Britaninë e Madhe. Në qendër të hetimeve është edhe incidenti pranë bazës ajrore RAF Fairford, ku më 27 shtator u konstatuan tre furgonë të dyshimtë. Sipas prokurorëve amerikanë, një prej të akuzuarve kishte paguar persona ne Britani për të vëzhguar perimetrin e bazës dhe për të siguruar automjete e karburant, me qëllim realizimin e planit. Në furgonë nuk u gjetën lëndë shpërthyese, por autoritetet sekuestruan një sasi benzine. Shtatë persona janë arrestuar në Britani në lidhje me këtë incident. FBI pretendon se të tre të dyshuarit kishin lidhje me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. Ndërkohë, Teherani i ka mohuar kategorikisht akuzat për përfshirje në ngjarjen pranë bazës britanike. Pas incidentit, Shtetet e Bashkuara tërhoqën bombarduesit e tyre nga RAF Fairford, duke përmendur shqetësimet për sigurinë e bazës. Klan News

Dua Lipa në krye të Coachella-s, zbulohet lista e artistëve për edicionin e ardhshëm

Festivali prestigjioz i muzikës Coachella ka bërë publik programin artistik për edicionin e ardhshëm, duke konfirmuar një listë të pasur me yje të muzikës botërore. Aktiviteti do të mbahet në dy fundjava, më 9–11 dhe 16–18 prill, në ambientet e Empire Polo Club, në Indio të Kalifornisë. Vëmendjen kryesore këtë edicion do ta marrin Dua Lipa, Tame Impala dhe SZA, të cilët janë përzgjedhur si emrat kryesorë të festivalit. Pjesë e programit do të jetë edhe Daddy Yankee, i cili do të prezantohet me një performancë speciale në kuadër të projektit “In the Desert”. Një hapësirë e rëndësishme në skenat e Coachella-s do t’i kushtohet gjithashtu muzikës elektronike. Organizatorët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e disa prej DJ-ve dhe producentëve më të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Tiësto, Martin Garrix, Dom Dolla, Kygo, Peggy Gou, Charlotte de Witte, Amelie Lens, Sara Landry, Solomun dhe Four Tet. Një tjetër moment që pritet të tërheqë vëmendjen e publikut është rikthimi i Madonna-s në një nga skenat më të rëndësishme të muzikës amerikane. Me këtë përzgjedhje, muzika elektronike pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore të festivalit, duke sjellë një larmi tingujsh dhe stilesh, nga house dhe techno, deri te melodic techno dhe progressive house. Ashtu si në edicionet e mëparshme, festivali do të zhvillohet në dy fundjava të njëpasnjëshme, me një program të përbashkët artistik. Kjo do t’u japë mundësi mijëra adhuruesve të muzikës nga vende të ndryshme të botës të bëhen pjesë e një prej ngjarjeve më të mëdha muzikore. Përmes ndërthurjes së pop-it, muzikës alternative, hip-hop-it dhe elektronikës, Coachella synon të ofrojë edhe këtë herë një eksperiencë të larmishme muzikore dhe të konfirmojë pozicionin e tij mes festivaleve më të rëndësishme në nivel global.

SHBA i ndaloi eksportet, por Kina siguroi çipat më të fuqishëm të Nvidia-s! Si u anashkaluan kufizimet

Një universitet kinez me lidhje të ngushta me ushtrinë ka siguruar çipa të fuqishëm të inteligjencës artificiale nga kompania Nvidia, pavarësisht se ndodhet në listën e zezë të eksporteve amerikane. Blerja ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e kufizimeve të vendosura nga Uashingtoni për të penguar Kinën të ketë akses në teknologjinë më të avancuar amerikane. Sipas dokumenteve të prokurimit të siguruara nga agjencia Reuters, Universiteti Politeknik Veriperëndimor, pjesë e grupit “Shtatë Bijtë e Mbrojtjes Kombëtare”, bleu dy procesorë H200 më 21 tetor, për rreth 123 mijë dollarë. Universiteti, i cili ndodhet në qytetin Xi’an, është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Tregtisë që prej vitit 2001, për shkak të dyshimeve për përfshirje në kërkime ushtarake dhe përhapjen e teknologjisë së raketave. Kufizimet ndaj tij u ashpërsuan në vitin 2019, duke e bërë pothuajse të pamundur marrjen e lejeve për importin e teknologjisë amerikane. Procesorët H200 janë ndër më të fuqishmit e Nvidia-s për trajnimin dhe funksionimin e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale. Universiteti i bleu ato përmes një kompanie vendase dhe jo drejtpërdrejt nga Nvidia. Dokumentet tregojnë gjithashtu se institucioni kishte siguruar akses në procesorë të tjerë të kompanisë përmes kontratave të qirasë së serverëve, përfshirë modelet H200, A100 dhe A800, të cilat janë gjithashtu subjekt i kufizimeve amerikane. Sipas Reuters, rasti nuk është i izoluar. Një shqyrtim i 26 dokumenteve të prokurimit dhe regjistrimeve të kompanive kineze zbuloi se disa universitete dhe institucione kërkimore në Kinë kanë blerë çipa Nvidia të ndaluar për eksport ose kanë marrë me qira shërbime kompjuterike që përdorin këta procesorë. Disa prej tyre kanë lidhje të drejtpërdrejta me industrinë e mbrojtjes dhe kërkimet ushtarake. Mes institucioneve të përfshira janë Universiteti i Shenzhenit, që bleu tre procesorë H100 për rreth 108 mijë dollarë, Universiteti i Teknologjisë i Wuhanit dhe Universiteti Beihang, i cili ka bashkëpunime të ngushta me industrinë kineze të hapësirës dhe mbrojtjes. Administrata e presidentit Donald Trump nisi në janar të lejojë eksportin e disa procesorëve H200 drejt Kinës, rast pas rasti. Megjithatë, ky vendim nuk hoqi kufizimet për institucionet në listën e zezë. Rregullat amerikane kërkojnë gjithashtu masa sigurie për të parandaluar që universitetet e sanksionuara dhe përdoruesit ushtarakë të kenë akses në distancë te çipat e eksportuar. Dokumentet nuk japin informacion të plotë mbi origjinën e procesorëve dhe vendndodhjen e serverëve. Pajisjet janë siguruar përmes kompanive kineze relativisht të panjohura, duke e bërë të vështirë gjurmimin e rrugës që kanë ndjekur për të mbërritur te institucionet e sanksionuara. Reuters ka raportuar më herët se universitete kineze me lidhje ushtarake kanë siguruar çipa të kufizuar të Nvidia-s, të integruar në serverë të prodhuar nga Super Micro Computer, Dell dhe Gigabyte, përmes rishitësve vendas. Gjithashtu, në Kinë është dokumentuar ekzistenca e një tregu informal për këta procesorë, të siguruar përmes stoqeve jashtë vendit dhe ndërmjetësve në shtete të treta. Javën e kaluar, agjencia raportoi se sasi të vogla të H200 kishin mbërritur në Kinë përmes rrugëve indirekte, ndërsa Pekini ende nuk kishte miratuar importet në shkallë të gjerë. Zbulimet vijnë në një moment kur Nvidia dhe drejtuesi i saj, Jensen Huang, po përballen me kritika në Uashington për lobimin në favor të lehtësimit të kufizimeve të eksporteve drejt Kinës. Disa ligjvënës amerikanë paralajmërojnë se aksesi në këta procesorë mund të përshpejtojë zhvillimin e sistemeve ushtarake kineze, analizën e informacioneve të inteligjencës dhe modernizimin e ushtrisë. Si demokratët, ashtu edhe republikanët në Kongres kanë kërkuar kontrolle më të forta, përfshirë gjurmimin e çipave dhe mbikëqyrjen e eksporteve. Tre kryetarë republikanë të komisioneve të Kongresit kanë kërkuar një takim me Jensen Huang më 18 nëntor, për të diskutuar kontaktet e tij të raportuara me një person të dyshuar si operativ i inteligjencës kineze. Universiteti, Nvidia dhe autoritetet amerikane të kontrollit të eksporteve nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për koment.

Nga skandali i Nvidia-s te miliarderët amerikanë, si përdoren gratë për të joshur dhe spiunuar të pushtetshmit

Shërbimet sekrete amerikane kanë prej vitesh shqetësime për përdorimin e grave si mjete spiunazhi nga Kina dhe Rusia, për të krijuar lidhje personale dhe romantike me figura të rëndësishme të politikës, financës dhe teknologjisë në SHBA. Kjo metodë, e njohur si “honeypot”, synon të fitojë besimin e personave me akses në informacione të klasifikuara dhe, në disa raste, t’i shantazhojë apo t’u marrë të dhëna sekrete. Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen lidhet me Jensen Huang, drejtuesin e kompanisë Nvidia, dhe Alice Huang, një grua që dyshohet nga inteligjenca amerikane për lidhje me shërbimet sekrete kineze. Sipas të dhënave të publikuara, njohja e tyre mund të ketë nisur në një festë të organizuar nga prodhuesi tajvanez i serverëve Gigabyte, gjatë panairit të teknologjisë Computex 2024. Një fotografi e publikuar në LinkedIn i shfaq të dy ulur pranë njëri-tjetrit, duke buzëqeshur. Megjithatë, dyshimet për përfshirjen e Alice në spiunazh nuk janë konfirmuar. Festa, dreka dhe takime të ndryshme joformale janë përdorur shpesh si mundësi për të krijuar kontakte me persona me ndikim në SHBA. Në këto raste, gratë që angazhohen në operacione të tilla përpiqen të krijojnë marrëdhënie personale ose romantike me objektivat e tyre, me qëllim sigurimin e informacioneve të vlefshme. Një nga rastet më të njohura është ai i Katrina Leung, e cila në fillim të viteve 1980 u rekrutua nga agjenti i FBI-së, James Smith, si informatore për çështjet që lidhen me Kinën. Ajo përdorte emrin e koduar “Parlor Maid” dhe për 18 vite konsiderohej një burim i rëndësishëm informacioni, falë kontakteve që kishte në nivelet e larta të Pekinit. Për punën e saj, FBI i kishte paguar rreth 1.7 milionë dollarë. Por, ndërkohë që bashkëpunonte me FBI-në, Leung kishte krijuar një marrëdhënie intime me vetë agjentin që e kishte rekrutuar. Takimet e tyre zhvilloheshin edhe në hotele, ndërsa Smith mbante me vete dokumente të klasifikuara. Ajo kishte gjithashtu një lidhje tjetër me një zyrtar të FBI-së, William Cleveland. Hetimet zbuluan se Leung kishte marrë dokumente konfidenciale dhe ua kishte kaluar autoriteteve kineze. Ajo u arrestua dhe pranoi fajësinë për dëshmi të rreme. Rasti u konsiderua një nga shkeljet më të rënda të sigurisë në historinë e FBI-së, pasi një operacion spiunazhi kishte arritur të mashtronte agjencinë për gati dy dekada. Një tjetër mënyrë që përdorin operativët e dyshuar është krijimi i kontakteve në universitetet amerikane, ku marrëdhëniet mund të ndërtohen gradualisht dhe të zgjasin për vite. Dokumente të deklasifikuara të FBI-së, të publikuara në vitin 2026, zbuluan se kongresmeni demokrat nga Kalifornia, Eric Sëalëell, i cili kishte qenë anëtar i Komisionit të Inteligjencës në Kongresin amerikan, kishte pasur kontakte me Christine Fang, e dyshuar si operatore e shërbimeve sekrete kineze. Fang kishte studiuar në një kolegj në San Francisko mes viteve 2011 dhe 2015, periudhë gjatë së cilës dyshohet se kishte marrë detyrën të krijonte marrëdhënie të afërta me politikanë amerikanë në ngritje. Sipas dokumenteve, ajo kishte krijuar kontakte edhe me të paktën dy politikanë të tjerë demokratë në Kaliforni. Një tjetër rast lidhet me Benjamin Pierce Bishop, ish-nënkolonel i ushtrisë amerikane, i cili u përfshi në një marrëdhënie me një grua kineze të përshkruar në dokumentet gjyqësore si “Personi 1”. Ai i kishte dërguar asaj me email informacione sekrete për asetet detare amerikane. Bishop u dënua me shtatë vite burg, ndërsa gruaja u përshkrua në dokumentet e gjykatës si shumë tërheqëse. Në vitet e fundit, disa raste të tjera kanë përfshirë gra ruse dhe figura të njohura të politikës, financës dhe teknologjisë amerikane. Një prej tyre është Maria Butina, e cilësuar si një nga figurat e afërta me qarqet e pushtetit në Rusi. Ajo u përfshi në një marrëdhënie me republikanin Paul Erickson dhe më pas u dëbua nga SHBA-të. Në qendër të një tjetër historie ishte edhe themeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili pranoi para punonjësve dhe aksionerëve se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua ruse, Mila Antonova. Gates ka deklaruar se e kishte njohur atë në mënyrë të pavarur nga Jeffrey Epstein, gjatë një turneu të lojës së bridge. Megjithatë, më vonë u zbulua se Epstein kishte paguar studimet e Antonovës në SHBA. Ai kishte shkëmbyer gjithashtu mesazhe me Gates, në të cilat përmendte marrëdhënien e tij me dy gra ruse, në një mënyrë që është interpretuar si përpjekje për ta vënë në pozitë të vështirë miliarderin. Antonova nuk është akuzuar për spiunazh. Emri i saj është shfaqur edhe në fotografi me Anna Chapman, agjenten ruse që u arrestua nga FBI-ja në Nju Jork në vitin 2010, nën dyshimet për spiunazh në favor të Moskës. Chapman pranoi fajësinë dhe u kthye në Rusi në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish, të miratuar nga presidenti Vladimir Putin. Një tjetër histori e përmendur në këtë kontekst lidhet me Svetlana Pozhidaeva, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Jeffrey Epstein, e cila kishte lidhje familjare me shërbimin sekret rus FSB. Babai i saj kishte qenë kolonel në këtë strukturë. Sipas komunikimeve të Epstein, Pozhidaeva kishte krijuar një marrëdhënie me Joshua Fink, djalin e Larry Fink, drejtuesit të fondit të investimeve BlackRock. Joshua ishte i dashuruar me të, por dyshohet se ishte edhe xheloz për Elon Musk, për shkak të kontakteve të mundshme të këtij të fundit me gruan ruse gjatë pushimeve në Kaliforni dhe Paris. Musk ka mohuar se ka qenë ndonjëherë objekt i një operacioni të tillë. Rastet e përmendura tregojnë se marrëdhëniet personale dhe romantike janë përdorur ndër vite si një mënyrë për t’iu afruar njerëzve me ndikim dhe për të siguruar informacione të ndjeshme. Megjithatë, jo të gjitha gratë e përfshira në këto histori janë akuzuar apo provuar se kanë qenë spiune, ndaj dyshimet e shërbimeve sekrete duhen dalluar nga faktet e konfirmuara.

Bllokuan rrugën gjatë protestës, 37 persona gjobiten me nga 5 mijë lekë

11 nëntor 2026 – Policia e Tiranës ka gjobitur me pesë milje lekë 37 qytetarë, të cilët bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Sipas njoftimit të Policisë, ndaj tyre janë plotësuar 37 procesverbale për kundërvajtje administrative, pasi nuk kanë liruar rrugën, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve përmes megafonit. Prej disa ditësh, Polica vazhdon të zbatojnë aktin normativ, i cili parashikon penalitete për të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla. Njoftimi i policisë: Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 37 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimeve të zhvilluar me datë 09.11.2026 dhe 10.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit. Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë.

Shpresë për dialog në Abu Dhabi, por Lavrov kundër armëpushimit

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës kanë rifilluar në Abu Dhabi, nën ndërmjetësimin amerikan. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi ditën e parë të takimit si konstruktive, ndërsa nga pala ruse u bë e ditur se është ende herët për të nxjerrë përfundime. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bisedimet kanë qenë produktive, por theksoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ai la të hapur edhe mundësinë e zgjerimit të formatit të negociatave, duke përfshirë drejtpërdrejt vendet evropiane në tryezën e bisedimeve. “Objektivi ynë është që në një moment ky format trepalësh të zgjerohet dhe që edhe evropianët të përfaqësohen drejtpërdrejt në negociata”, u shpreh Rubio. Në qendër të diskutimeve janë garancitë e sigurisë që kërkon Ukraina, territoret e pushtuara nga Rusia dhe mundësia e krijimit të një sistemi të ri sigurie në Evropë. Takimi në Abu Dhabi po zhvillohet në dy faza. Fillimisht u mbajt një takim paraprak me pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë, ukrainas dhe këshilltarëve të sigurisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Më pas nisën bisedimet e drejtpërdrejta mes delegacioneve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Një nga zhvillimet konkrete të raportuara nga këto bisedime është mundësia e një shkëmbimi të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës në ditët në vijim. Lajmi u bë i ditur nga gazeta ukrainase “Ukrainska Pravda” dhe u përmend edhe nga Zelensky, i cili theksoi se çështja e të burgosurve është një përparësi për Kievin. Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka propozuar një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, me synimin për të përshpejtuar përfundimin e luftës. Zelensky ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e Ukrainës për të vazhduar negociatat. Për Kievin, arritja e një marrëveshjeje është urgjente, për shkak të pasojave të rënda që lufta ka shkaktuar te popullsia. Edhe presidenti amerikan Donald Trump duket se kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit. Në këtë proces pritet të ketë një rol më të madh edhe Evropa. Ftesat për samitin në Abu Dhabi janë bërë nga Uashingtoni, ndërsa Italia ishte përfshirë që në fillim në listën e vendeve të ftuara. Vendet evropiane po përpiqen të koordinojnë qëndrimet e tyre për të pasur një zë të përbashkët në negociata. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka kërkuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të nxisë bashkëpunimin mes vendeve të BE-së për këtë çështje. Tema pritet të diskutohet edhe në takimin joformal të Këshillit Evropian, më 13 nëntor, në Dublin. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet qëndrimi i Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kundërshtuar propozimin evropian për vendosjen fillimisht të një armëpushimi dhe më pas nisjen e negociatave. “Rusia nuk do ta pranojë kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm”, deklaroi Lavrov për agjencinë “Interfax”. Ai akuzoi Brukselin dhe kryeqytetet e tjera evropiane se po kërkojnë të fitojnë kohë për Ukrainën, në mënyrë që kjo e fundit të rikuperojë humbjet ushtarake. Kështu, pavarësisht sinjaleve pozitive nga dita e parë e bisedimeve, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë. Qëndrimi i Moskës për armëpushimin dhe e ardhmja e territoreve të pushtuara pritet të jenë ndër çështjet më të vështira në negociatat mes palëve.

Cilësimet

Modaliteti i dritës
Madhësia e shkronjave
16px
Aksesueshmëria
Hapësira mes rreshtave