Babai 82-vjeçar i Meghan Markle, Thomas Markle, është arrestuar sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm pak ditë pasi ishte liruar me kusht, pasi dyshohet se ka hequr pajisjen elektronike të monitorimit nga kyçi i këmbës.

Lajmi është bërë i ditur të martën nga autoritetet amerikane. Thomas Markle ndodhet tashmë në paraburgim, në pritje të një seance në gjykatën federale në Tampa të Floridës.

Sipas asaj që bën me dije Reuters, Markle e preu byzylykun elektronik rreth orës 01:45 të mëngjesit dhe u arrestua pak më vonë.

Arrestimi i tij i dytë vjen vetëm pak ditë pas ndalimit të parë, të premten e kaluar.

Autoritetet kishin sekuestruar rreth 78 materiale, në të cilat dyshohet se përmbaheshin imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve.

Materialet u gjetën në njësi magazinimi në zonën e Los Angeles-it, të cilat Markle i kishte marrë me qira që prej vitit 2008.

Gjatë arrestimit të parë, ai u mor me ambulancë nga një qendër kujdesi për të moshuarit në Lakeland.

Disa orë më vonë, një gjykatës vendosi lirimin e tij me kusht, duke i kërkuar që të mbante pajisjen elektronike të monitorimit.

Gjykata urdhëroi gjithashtu kryerjen e një ekzaminimi për të vlerësuar aftësinë e tij mendore për të përballuar procesin gjyqësor, si dhe dorëzimin e një raporti deri më 20 nëntor.

Vajza e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, është shprehur më herët se ishte “thellësisht e tronditur” nga akuzat për gjetjen e një koleksioni me imazhe të abuzimit seksual të fëmijëve në ish-shtëpinë e të atit.

Ajo bëri gjithashtu të ditur se në vitin 2019 në polici në Londër ishte dërguar një letër që përmbante pretendime shqetësuese për babanë e saj.

Klan News

/tvklan.al