11 nëntor 2026 – Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon ndryshime në disa prej skemave të mbështetjes sociale, mes të cilave zgjerimin e bonusit të bebes, rritjen e pagesës për familjet kujdestare dhe dyfishimin e përfitimeve mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në një intervistë në Klan News me gazetarin Erion Dushi, zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi, ka shpjeguar masat që pritet të zbatohen gjatë vitit të ardhshëm, duke u ndalur edhe te shërbimet e reja shëndetësore dhe sociale.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me bonusin e bebes, i cili nga një pagesë e vetme në momentin e lindjes do të kthehet në një përfitim mujor për pesë vitet e para të jetës së fëmijës. Sipas Seferit, skema e re parashikon 5 mijë lekë në muaj për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin. Masa pritet të nisë nga 1 korriku i vitit 2027.
“Ky buxhet parashikon për herë të parë zgjerimin e subvencionit të bonusit të bebes, duke e shtrirë atë në një përfitim mujor për familjet, për çdo fëmijë. Do të kemi një përfitim prej 5 mijë lekësh për fëmijën e parë, 7 mijë lekësh për fëmijën e dytë dhe 10 mijë lekësh për fëmijën e tretë. Kjo politikë do të fillojë nga 1 korriku i vitit 2027”, tha Seferi.
Deri më tani, bonusi jepej vetëm një herë, në momentin e lindjes, në vlerën 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin. Me skemën e re, mbështetja do të shtrihet gjatë pesë viteve të para të jetës së fëmijës. Seferi bëri të ditur se programi synon të jetë universal dhe të përfshijë çdo fëmijë të lindur në Shqipëri, ndërsa modalitetet e zbatimit janë ende në fazë vlerësimi.
“Kjo është një mënyrë për të mbështetur familjet, por sigurisht edhe çdo fëmijë për rritjen, edukimin dhe gjithçka që i nevojitet në pesë vitet e para të jetës. Për këtë arsye, përfitimi do të shtrihet nga mosha zero deri në pesë vjeç. Programi do të jetë universal dhe do të mbulojë çdo fëmijë që lind në Republikën e Shqipërisë, duke i siguruar një mbështetje mujore të vazhdueshme”, u shpreh ajo.
Një tjetër masë e parashikuar në projektbuxhet lidhet me familjet kujdestare, të cilat marrin përsipër përkujdesjen për fëmijët që nuk mund të jetojnë me prindërit biologjikë ose që janë jashtë kujdesit prindëror. Pagesa mujore për çdo fëmijë do të rritet nga 9 mijë në 12 mijë lekë, ndërsa familjet do të përfitojnë edhe 30 mijë lekë një herë në vit për shpenzime të tjera, si veshmbathje dhe nevoja shkollore.
Sipas Seferit, me këtë skemë synohet të mbështeten rreth 200 familje kujdestare gjatë vitit 2027. Ajo theksoi se qëllimi është që fëmijët të rriten në një mjedis familjar dhe të mos dërgohen në institucione rezidenciale.
“Ne sot do të paguajmë 12 mijë lekë për çdo fëmijë që vendoset në familjen kujdestare. Kjo pagesë do të jetë mujore dhe, përveç saj, familja do të marrë edhe 30 mijë lekë një herë në vit për shpenzimet e ndryshme që mund të ketë fëmija, për shkollën, veshmbathjen dhe nevoja të tjera. Kjo përbën paketën e plotë të mbështetjes për familjet kujdestare. Kemi parashikuar që të kemi rreth 200 familje të tilla, të cilat do të mbështeten nga buxheti i shtetit për vitin 2027”, shpjegoi ajo.
Sa i përket ndihmës ekonomike, Seferi bëri të ditur se në projektbuxhet janë parashikuar 6.8 miliardë lekë për rreth 59 mijë familje. Përveç pagesës mujore, sipas saj, synohet që përfituesit të përfshihen në programe punësimi dhe formimi profesional, me qëllim që të mund të dalin gradualisht nga skema.
Në fushën e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara, projektbuxheti parashikon dyfishimin e pagesave mujore për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre. Për këtë kategori janë parashikuar rreth 19 miliardë lekë, ndërsa Seferi bëri të ditur se në vend janë rreth 99 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë të tyre.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu 480 milionë lekë për zgjerimin e shërbimeve sociale gjatë vitit 2027. Deri më tani, në bashkëpunim me pushtetin vendor, janë ngritur 98 shërbime për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët pa kujdes prindëror dhe gratë e dhunuara.
Një tjetër masë lidhet me zgjerimin e shërbimeve për personat në spektrin e autizmit. Seferi tha se do të ngrihet një qendër e re për të rinjtë mbi 18 vjeç, ndërsa në spitalin e Peqinit parashikohet një qendër rehabilituese për personat mbi 21 vjeç me autizëm të rënduar. Aktualisht, në vend funksionojnë tetë qendra publike zhvillimi, ku marrin shërbime rreth 1,200 persona.
Në pjesën e shërbimeve shëndetësore, zëvendësministrja u ndal edhe te PET Scan, duke bërë të ditur se synohet që aparatura të vihet në funksion brenda muajit janar. Për këtë qëllim, ekipet po punojnë për përgatitjen dhe trajnimin e personelit që do të ofrojë shërbimin.
Një tjetër ndryshim është heqja e kufirit të moshës për kontrollin shëndetësor bazë, Check-up-in, i cili deri më tani ofrohej për qytetarët nga 35 deri në 70 vjeç. Sipas Seferit, shërbimi do të jetë falas për çdo qytetar, pa kufizim moshe.
“Check-up-i është një mundësi e artë për vlerësimin shëndetësor të çdo personi. Heqja e fashës së moshës krijon mundësinë që çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ta kryejë këtë kontroll falas. Më parë shërbimi ofrohej për moshën 35 deri në 70 vjeç, ndërsa tashmë nuk do të ketë më kufizim moshe. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të kujdesen për shëndetin dhe të përfitojnë nga ky shërbim”, deklaroi ajo.
/tvklan.al








