Një kombinim i rrallë, por i fuqishëm, i një vale të madhe të nxehti në Oqeanin Paqësor dhe një “super El Niño” pritet të kenë pasoja të mëdha këtë vjeshtë. Ja pesë ndryshime që pritet të ndodhin.
Në Paqësorin verilindor, një valë e madhe dhe e qëndrueshme e nxehtësisë po shkatërron jetën detare dhe modelet e motit. Kjo valë, e formuar në maj 2025, tashmë ka sjellë temperatura 3-4°C në sipërfaqe, mbi mesataren për këtë periudhë
Përveç kësaj: një model i madh ngrohjeje i njohur si El Niño po zhvillohet më në jug. El Niño është një fenomen klimatik që rrit temperaturat globale dhe po fuqizon më tej ngrohjen e Paqësorit. Pritet të intensifikohet këtë vjeshtë duke u bërë El Niño më i fortë deri më tani.
Ky kombinim i një vale të madhe nxehtësie dhe një “super El Niño” është shumë i rrallë.
Por cilat janë ndikimet që pritet të shfaqen dhe ku do të ndodhin?
Kalifornia: Më shumë stuhi bregdetare, përmbytje të forta
Kalifornia, e cila ka qenë nën ndikimin e një vale detare të nxehtësisë që nga dhjetori, po përgatitet për më shumë stuhi dhe përmbytje gjatë vjeshtës dhe dimrit për shkak të ujërave më të ngrohta. Nivelet e ujit bregdetar janë tashmë 15 cm mbi mesataren, thotë Patrick Barnard, drejtor kërkimor në Qendrën për Qëndrueshmëri Klimatike Bregdetare në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz. Gjatë këtij El Niño, ky nivel pritet të rritet edhe më shumë: deri në 15-30 cm mbi normalitetin.
“Çdo rritje prej 5-10 cm e nivelit mesatar të detit dyfishon frekuencën e përmbytjeve për shumicën e komuniteteve bregdetare në Bregun Perëndimor të SHBA, kështu që me këto rritje të pritura këtë dimër, rreziku i përmbytjeve do të jetë historikisht i lartë”, thotë Barnard.
Sipërfaqet më të ngrohta të oqeanit avullojnë më shumë nxehtësi dhe lagështi në ajër, gjë që mund të sjellë reshje më të dendura, thotë Leising. Kjo mund të çojë në më shumë “lumenj atmosferikë”, shiritë gjigantë avulli ujor në qiell, në muajt e ardhshëm. Ato rrisin rrezikun e përmbytjeve të brendshme dhe rrëshqitjeve të dheut në Kaliforni.
Çfarë është El Niño?
El Niño është një fenomen natyror që ndodh kur temperaturat e sipërfaqes së detit në Oqeanin Paqësor janë 0.5°C më të larta se normalja për disa muaj radhazi. Kur rritja arrin në 2°C, atëherë kemi një El Niño “shumë të fortë” ose “super El Niño”.
Paqësori Veriperëndimor i SHBA-ve dhe Kanadaja: Më pak dëborë, rrezik thatësire
Më në veri të SHBA-ve dhe në Kanada, ndikimi i kombinuar i El Niño dhe valëve të nxehtësisë detare pritet të ulë reshjet e dëborës, thotë Larry O’Neill, profesor në Universitetin e Oregonit dhe drejtor i Shërbimit Klimatik të Oregonit. Vala e fundit e madhe e nxehtësisë në Paqësor, e quajtur “the Blob”, solli një rekord të ulët historik, të shtresës së dëborës në Paqësorin Veriperëndimor në vitin 2015.
“Stuhitë që morëm ishin shumë më të ngrohta se normalja, kështu që reshjet që zakonisht do të binin si dëborë, ranë si shi në lartësi më të mëdha”, thotë O’Neill.
Reduktimi i dëborës është shqetësues pasi shumë zona të Paqësorit Veriperëndimor aktualisht po përjetojnë kushte thatësire, shton ai. “Mund të duhen disa dimra për t’u rikuperuar”.
Paqësori Veriperëndimor dhe Kanadaja: Zjarre pyjore dhe temperatura më të larta
Thatësia dhe ngrohja mbi mesataren në veriperëndim të SHBA-ve, të përkeqësuara nga El Niño, rrisin rrezikun e zjarreve pyjore në Kaliforninë veriore, Oregonin lindor, Idahon jugor dhe Utah këtë vjeshtë. Kjo pritet të ulë cilësinë e ajrit për miliona njerëz dhe të sjellë pasoja ekonomike me vlerë miliarda dollarë.
Ndërkohë në Kaliforni, ujërat bregdetare më të ngrohta kanë sjellë kushte më të ngrohta dhe më të lagështa në gjithë shtetin gjatë pranverës dhe verës së këtij viti, sipas Leising.
Në Kaliforninë e brendshme, temperaturat gjithashtu priren të jenë “pak më të larta” gjatë një vale të nxehti detare, pasi erërat nga oqeani marrin pak më shumë nxehtësi përpara se të largohen nga bregu, thotë Nick Bond, klimatolog në Universitetin e Washingtonit.

Më pak uragane në Atlantik, më shumë stuhi në Paqësor
Në Oqeanin Atlantik, El Niño priret të tkurrë zhvillimin e uraganeve, pasi e bën më pak të mundshme që stuhitë e forta të shndërrohen në uragane. Por stuhitë tropikale në Paqësorin lindor janë më të forta, pasi ujërat më të ngrohta të oqeanit ofrojnë energji shtesë, duke rritur rrezikun për Meksikën.
Këto stuhi tropikale mund të ndihmojnë në dobësimin e valëve të nxehtësisë detare gjatë vjeshtës, thotë O’Neill.
Një studim i vitit 2020 nga O’Neill zbuloi se stuhitë e forta shkatërruan plotësisht valët e nxehtësisë detare në Paqësorin verilindor brenda pak ditësh, mes viteve 2013 dhe 2016.
Shkatërrim për jetën detare në Paqësor
Valët e nxehtësisë pranë Kalifornisë tashmë “praktikisht po gatuajnë kafshët përgjatë bregdetit”, thotë Leising. Gjatë një vale detare të nxehtësisë, lëndët ushqyese nuk ngrihen shpesh në sipërfaqe si zakonisht dhe nivelet e oksigjenit në ujë janë më të ulëta, thotë O’Neil. “Shumë peshq dhe molusqe nuk do të kenë mjaftueshëm oksigjen, kështu që ose do të ngordhin, ose do të zhvendosen më larg bregut”. Peshkimi ka gjasa të ndjejë efektet e këtij dëmtimi të ekosistemit, shton ai.
E vetmja valë nxehtësie detare që e ka tejkaluar aktualen për madhësi solli “ndryshime shumë të mëdha në ekosistemin detar”, thotë Bond. “The Blob”, e cila zgjati nga 2013 deri në 2016, u shtri për 1,609 km mes Amerikës së Veriut dhe Azisë.
“Speciet e ujërave të ngrohta lulëzuan në kurriz të specieve të ujërave më të ftohta”, thotë Bond. Kjo ishte e dëmshme për salmonët e rinj, për gjitarët detarë dhe disa zogj detarë, shton ai.
Valët e nxehtësisë në Paqësor po bëhen gjithnjë e më shumë një tipar i përhershëm i sistemit klimatik, Nick Bond
Kohëzgjatja e këtyre valëve është një shqetësim i madh, thotë Leising. “Kafshët detare do të jenë ekspozuar ndaj këtyre ujërave të ngrohta për një kohë shumë të gjatë në një zonë të gjerë, dhe tani ato thjesht do të kalojnë direkt në ujërat e ngrohta nga El Niño”.
Disa specie, si peshku shkëmbor dhe kallamari, mund të përfitojnë nga ujërat më të ngrohta, “por në përgjithësi bilanci është më shumë humbës, pasi produktiviteti është ulur për gjithë sistemin”, thotë ai. “Ka më pak ushqim atje për të gjithë”.
Pse oqeanet janë kaq të nxehtë
Valë të mëdha nxehtësie detare kanë ndodhur çdo vit gjatë shtatë viteve të fundit dhe gjashtë prej tyre kanë qenë ndër më të mëdhatë të regjistruara në Paqësorin Verilindor që nga viti 1982.
Rritja e këtyre valëve të nxehtësisë lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, thotë O’Neill. “Valët e nxehtësisë detare po ndodhin më shpesh tani, sepse oqeani është ngrohur pandërprerë gjatë 40 viteve të fundit”. Që nga vitet 1970, ka pasur një përshpejtim të dukshëm të temperaturave të sipërfaqes së detit dhe oqeani ka thithur më shumë se 90% të nxehtësisë së tepërt nga ndryshimet klimatike. Sot, temperaturat e oqeanit janë më të larta se kurrë më parë.
Valët e nxehtësisë në Paqësorin verilindor “po bëhen pak a shumë një tipar i përhershëm i sistemit klimatik”, thotë Bond.
Është vetëm hera e dytë në histori që një valë nxehtësie detare e kësaj madhësie ka ndodhur paralelisht me një El Niño, thotë Leising, duke vënë në dukje se marrëdhënia mes këtyre dy ngjarjeve nuk kuptohet plotësisht. Shkencëtarët ende po studiojnë se si ndryshimet klimatike ndikojnë El Niño, por bien dakord se frekuenca e këtyre ngjarjeve ka gjasa të rritet këtë shekull për shkak të ngrohjes globale.








