10 nëntor 2026- Një 39-vjeçar shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në Spanjë, pasi është qëlluar disa herë nga një person i armatosur, teksa ndodhej në tarracën e një lokali në zonën e Orihuela Costa.
Ngjarja ndodhi pak para orës 13:00, në ambientet e kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.
Mediat spanjolle shkruajnë se viktima ishte ulur në tarracën e një lokali, kur një person iu afrua dhe hapi zjarr ndaj tij disa herë, duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë pas atentatit, autori u largua nga vendi i ngjarjes me një monopatinë elektrike.
Dëshmitarët e ngjarjes njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile, të cilët kanë nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe ajo e një larjeje hesapesh.
Trupi i 39-vjeçarit qëndroi në vendin e ngjarjes deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan dërgimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante.
Autopsia pritet të kryhet të mërkurën, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e atentatit.
/tvklan.al







