Nga forumi i paqes në Paris, kryeministri Albin Kurti foli edhe për gjykatën speciale të Hagës, duke u ndalur te mundësia ligjore e apelimit në rast të pakënaqësisë së vendimeve të dhëna.

“Sa i përket drejtësisë ndërkombëtare, vetëm një fjali: Nëse nuk jeni të kënaqur me aktgjykimin, bëni përpjekjet e nevojshme në apel. Dhe mos ndaloni kurrë së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, tha Kurti.

Këtë përgjigje Kurti e dha pas pyetjes së bërë nga paneli për parimin se ‘ligji duhet të jetë mbi politikën’, si dhe për mënyrën se si mund të lehtësohen procedurat e drejtësisë ndërkombëtare, duke marrë parasysh zhvillimet në Hagë dhe perceptimin publik në vendin e tij.

Në Kosovë vendimi i 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin me 81 vite burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shkaktoi reagime të forta.

Kuvendi po amendon ligjin për gjykatat Speciale, ndërsa qeveria dhe faktorët e tjerë politik po me anë të një të grupi të posaçëm po koordinohen për veprimet për të ankimuar në apel këtë vendim.

Grupi i ngritur nga qeveria kryesohet ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa në përbërje ka përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të grupeve parlamentare.

Detyrë e grupit është koordinimi i mbështetjes institucionale, juridike dhe diplomatike për procesin e apelit dhe bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse.

Në mandatin e tij përfshihet edhe dokumentimi dhe afirmimi i së vërtetës historike për luftën e Kosovës, përmes analizimit të dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor.

/tvklan.al