Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka spikatur në Festivalin e Letërsisë në Londër, ku letërsia dhe moda u ndërthurën në paraqitjet e saj elegante. Në rolin e kuratores së ftuar të festivalit, ylli i muzikës mori pjesë në biseda me emra të njohur të kulturës, mes tyre shkrimtarja Zadie Smith dhe muzikantja e autorja Patti Smith.

Aktiviteti u zhvillua në Royal Festival Hall, në kuadër të Festivalit të Letërsisë në Londër, ku autorë dhe lexues mblidhen për të diskutuar mbi librat dhe idetë që frymëzojnë krijimtarinë.

Dua, e njohur për pasionin e saj ndaj leximit, shfrytëzoi këtë mundësi për të treguar edhe një herë se interesat e saj shkojnë përtej muzikës. Ajo drejton klubin e leximit Service95, përmes të cilit promovon libra dhe zhvillon intervista me shkrimtarë.

Nga Chanel te Prada, këngëtarja sjell disa kombinime luksoze

Të shtunën, Dua u shfaq me një fustan të kuq prej leshi nga koleksioni Vjeshtë-Dimër 2026 i Chanel, krijuar nga Matthieu Blazy. Çmimi i fustanit nuk është bërë publik, ndërsa këngëtarja e kombinoi me këpucë me taka nga Le Silla, me vlerë 1,236 paund.

Më vonë gjatë ditës, ajo ndryshoi pamje, duke zgjedhur një kombinim nga koleksioni vjeshtë 2026 i Prada. Veshja përfshinte një bluzë të zezë me rripa të hollë, me çmim 630 paund, dhe një fund që kushton 860 paund.

Ajo i plotësoi këto elemente me çorape të gjata me motive lulesh, me vlerë 1,143 paund, si dhe këpucë të bardha të zbukuruara me pupla, që kushtojnë 1,836 paund.

Të dielën, këngëtarja zgjodhi një tjetër krijim të veçantë, këtë herë nga Schiaparelli. Ajo veshi një bluzë të dekoruar nga koleksioni pranverë/verë 2027 të markës, të kombinuar me pantallona të zeza të gjera.

Biseda me Zadie Smith dhe Patti Smith

Përtej paraqitjeve të saj në modë, Dua pati një rol aktiv në programin kulturor të festivalit. Ajo zhvilloi një bisedë me shkrimtaren Zadie Smith, e cila ka qenë në listën e ngushtë të kandidatëve për çmimin prestigjioz Booker.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte ai me muzikanten dhe shkrimtaren amerikane Patti Smith, 79 vjeçe, me të cilën diskutoi për librin Bread of Angels.

E njohur edhe si imazh i markave Bulgari dhe Versace, Dua Lipa është shndërruar në një figurë me ndikim në modën ndërkombëtare. Megjithatë, pjesëmarrja e saj në festival dëshmoi se përkushtimi ndaj letërsisë është po aq i rëndësishëm për të.

Përmes dhe bisedave me autorë të njohur, këngëtarja synon të nxisë interesin për librat dhe të afrojë një audiencë më të gjerë me botën letrare.