Kaia Gerber ka gjetur një mënyrë prekëse për të shprehur dhimbjen që po përjeton pas humbjes së vëllait të saj, Presley Gerber, i cili ndërroi jetë në moshën 27-vjeçare. Modelja 25-vjeçare ka ndarë një postim në rrjetet sociale, përmes të cilit ka përcjellë se sa e vështirë është të përballesh me humbjen e një njeriu të dashur.
Në llogarinë e saj në Instagram, Kaia publikoi një fotografi ku shfaqej një koleksion librash dhe romanesh që trajtojnë pikëllimin dhe humbjen. Krahas saj, ajo zgjodhi të ndajë edhe një fragment mjaft emocionues nga shkrimtarja Joan Didion, që përshkruan mënyrën e paparashikueshme se si shfaqet dhimbja.
“Pikëllimi, kur vjen, nuk është kurrë ashtu siç e presim. Ai nuk njeh distancë. Vjen në valë, në shpërthime, në kriza të papritura që të këpusin gjunjët, të turbullojnë shikimin dhe të fshijnë errësirën”, shkroi ajo.
Presley Gerber u gjet pa ndjenja më 20 shtator, në dhomën e tij në një qendër rehabilitimi në Santa Monica. Sipas informacioneve të bëra publike, ai ishte pranuar në këtë qendër vetëm disa orë përpara se të gjendej në atë gjendje.
Shkaku zyrtar i vdekjes së tij ende nuk është përcaktuar, ndërsa të dhënat e para kanë ngritur dyshime për një mbidozë.
Humbja ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për familjen Gerber. Në periudhën e parë pas ngjarjes, Kaia u tërhoq në shtëpi dhe qëndroi larg angazhimeve të saj profesionale, duke u përpjekur të përballonte dhimbjen. Megjithatë, kohët e fundit, modelja po përpiqet gradualisht të rikthejë normalitetin në jetën e saj.
/tvklan.al







