Një pilulë eksperimentale për kontrollin e lindjeve për meshkuj që mund të ndalojë përkohësisht spermatozoidet në vetëm 30 minuta i është dhënë drita jeshile për kërkime të mëtejshme klinike.

Shkencëtarët në Weill Cornell Medicine kanë siguruar katër vjet financim, raporton Newsweek, për të testuar pilulën që kanë zhvilluar, e cila do t’u ofrojë burrave gjashtë deri në tetë orë mbrojtje kontraceptive. Pas kësaj kohe, pjelloria do të kthehet në normalitet.

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth 40% e shtatzënive në SHBA-të janë të paplanifikuara, ndërsa metodat kontraceptive të disponueshme për burrat aktualisht janë të kufizuara në prezervativë dhe vazektomi. Kështu, përgjegjësia e kontracepsionit ende bie kryesisht mbi gratë, të cilat shpesh përdorin kontraceptivë hormonalë për një kohë të gjatë, të cilët mund të shkaktojnë efekte të ndryshme anësore.

“Rreth një e treta e grave ndërpresin një metodë kontraceptive hormonale brenda vitit të parë, zakonisht për shkak të efekteve anësore. Ndërprerja e kontracepsionit ndërkohë që ende dëshirohet të shmanget shtatzënia është një shkak kryesor i shtatzënive të padëshiruara. Ka rreth 121 milionë shtatzëni të padëshiruara në të gjithë botën dhe 2.6 milionë në Shtetet e Bashkuara çdo vit , duke përbërë gati gjysmën e të gjitha shtatzënive në të dyja rastet”, tha për Newsweek Jean-Ju Chung , një profesor i asociuar i fiziologjisë qelizore dhe molekulare në Universitetin Yale.

“Ne kemi nevojë për mundësi që veprojnë para fekondimit, që nuk kërkojnë që një burrë i shëndetshëm të marrë hormone vazhdimisht dhe që u lejojnë burrave të ndajnë në thelb përgjegjësinë e kontracepsionit, në vend që thjesht ta zbatojnë atë”, shtoi ai.

Çelësi i veprimit të pilulës së re qëndron në një enzimë të quajtur adenilil ciklazë e tretshme (sAC). Ajo gjendet brenda spermës dhe, siç shpjeguan studiuesit për Newsweek, është thelbësore që ajo të lëvizë dhe të vazhdojë të piqet pas ejakulimit, kur hyn në sistemin riprodhues femëror.

Kur kjo enzimë mungon, siç e shpjeguan ata, burrat janë infertilë sepse, megjithëse ejakulojnë normalisht, sperma e tyre nuk mund të arrijë vezën dhe ta fekondojë atë. Duke e “çaktivizuar” përkohësisht enzimën, ekspertët i çaktivizojnë spermën nga aktiviteti i tyre riprodhues për një periudhë të caktuar kohore.

Por, ashtu si me të gjitha ilaçet që merren nga goja, përqendrimi i substancës aktive në trup arrin nivelin maksimal menjëherë pas marrjes së pilulës dhe më pas zvogëlohet gradualisht .

“Pothuajse të gjitha metodat kontraceptive mashkullore të zhvilluara deri më sot synojnë prodhimin e spermës. Meqenëse procesi i spermatogjenezës tek njerëzit zgjat rreth dy muaj e gjysmë, këtyre metodave u duhen javë që të fillojnë të funksionojnë dhe javë që të përmbysin efektin e tyre”, sqaroi Chung lidhur me mënyrën se si ndryshojnë metodat e tjera kontraceptive mashkullore nga pilula e re.

Në të kundërt, frenuesit e sAC, siç është ky ilaç, veprojnë mbi spermatozoidet ekzistuese, duke bllokuar mekanizmin që aktivizon lëvizshmërinë e tyre pas ejakulimit. Në këtë mënyrë, efekti kontraceptiv mund të jetë “i shpejtë, afatshkurtër dhe plotësisht i kthyeshëm”.

/tvklan.al