Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) ka njoftuar arrestimin e dy personave, të cilët i akuzon se janë agjentë të shërbimeve sekrete polake dhe se po mblidhnin informacione për objektet ushtarake në rajonin e Kaliningradit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Interfax, e cila raportoi gjithashtu se FSB-ja ka paralajmëruar edhe shtatë shtetas polakë dhe tre shtetas rusë për kontakte të dyshuara me shërbimet e sigurisë së Polonisë.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i ministrit polak përgjegjës për shërbimet speciale deklaroi se nuk do të komentonte pretendimet e publikuara nga shërbimet ruse të inteligjencës.

Megjithatë, zyrtari polak Jacek Dobrzynski reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke i cilësuar deklaratat ruse si provokim dhe dezinformim.

“Në Ditën e Pavarësisë Kombëtare, i konsideroj këto deklarata si një tjetër provokim dhe akt dezinformimi”, shkroi ai.

Polonia feston Ditën e Pavarësisë më 11 nëntor.

Rajoni i Kaliningradit ndodhet në brigjet e Detit Baltik dhe është një territor rus i ndarë nga pjesa tjetër e vendit. Ai kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë dhe ka qenë disa herë në qendër të tensioneve mes Rusisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

/tvklan.al