Iraku ka ndaluar uljen në aeroportin e Basrës të avionit që transportonte kombëtaren iraniane të futbollit. Vendimi u mor të martën nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Irakut, për shkak të sanksioneve amerikane ndaj kompanive ajrore iraniane.
Si pasojë, avioni u detyrua të kthehej në Iran, ku u ul në aeroportin e Abadanit. Ndërkohë, futbollistët iranianë do të vazhdojnë udhëtimin drejt Basrës me rrugë tokësore, bëri të ditur një zyrtar i konsullatës iraniane në këtë qytet.
Kombëtarja e Iranit po udhëtonte drejt Irakut për të marrë pjesë në një turne me katër ekipe, ku përveç saj do të garojnë edhe Iraku, Libani dhe Palestina.
Sipas një zyrtari të Aviacionit Civil irakian, autoritetet vendosën të mos lejojnë uljen e avionit për të shmangur shkeljen e sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj linjave ajrore iraniane.
Ky incident është një tjetër tregues i ndikimit të sanksioneve amerikane në transportin ajror të Iranit. Uashingtoni ka paralajmëruar se kompanitë në mbarë botën që bashkëpunojnë me linjat ajrore iraniane mund të përballen me masa ndëshkuese.
Madje, që në shtator, Iraku kishte pezulluar fluturimet iraniane drejt aeroportit të Bagdadit, pas paralajmërimeve amerikane për sanksione ndaj aeroporteve dhe kompanive që ofrojnë shërbime për avionët iranianë.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte paralajmëruar se aeroportet që u shërbejnë kompanive ajrore iraniane rrezikojnë të sanksionohen, duke përfshirë edhe përjashtimin nga sistemi financiar i dollarit amerikan.
Masat janë pjesë e përpjekjeve të SHBA-ve për të shtuar presionin ndaj Iranit dhe për të kufizuar aktivitetin e kompanive të tij ajrore në nivel ndërkombëtar.
/tvklan.al











