Një projekt i ri kërkimor në Mbretërinë e Bashkuar synon të përdorë inteligjencën artificiale për të zbuluar demencën në fazat e para dhe për të ndihmuar në parandalimin e saj bën të ditur përmes një artikulli BBC.
Projekti, i quajtur “BRAINIAC Hub”, do të drejtohet nga Universiteti i Exeter-it dhe do të ketë një financim fillestar prej 10 milionë paundësh nga Këshilli për Kërkimet në Inxhinieri dhe Shkencat Fizike. Një shumë tjetër prej 10 milionë paundësh do të sigurohet nga kompani, organizata bamirëse dhe Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik (NHS).
Studiuesit synojnë të krijojnë një sistem që bashkon disa lloje ekzaminimesh dhe të dhënash shëndetësore, si skanimet e trurit, analizat gjenetike, treguesit në gjak dhe testet e kujtesës e të përqendrimit. Përmes inteligjencës artificiale, këto të dhëna do të analizohen së bashku për të krijuar një pasqyrë më të qartë të shëndetit të trurit dhe për të dalluar shenjat e para të sëmundjes.
Projekti do të zgjasë gjashtë vite, ndërsa klinikat e para pritet të hapen në vitin 2029. Në fillim, shërbimi do të ofrohet për pacientët që dërgohen për kontroll nga NHS.
Synimi, zbulimi i demencës përpara shfaqjes së simptomave
Në këtë nismë do të bashkëpunojnë 11 universitete dhe 10 qendra shëndetësore në Britani. Përmes tyre, studiuesit synojnë të gjejnë mënyra më të shpejta dhe më të sakta për të diagnostikuar, parandaluar dhe trajtuar demencën.
Një nga objektivat kryesorë është përgjysmimi i kohës që u nevojitet pacientëve për të marrë një diagnozë, si dhe identifikimi i personave që kanë rrezik të zhvillojnë sëmundjen përpara se të shfaqin shenjat e para.
Drejtori i projektit, David Llewellyn, profesor në Universitetin e Exeter-it, e cilësoi diagnostikimin e hershëm si sfidën më të madhe.
“Teknologjitë që do të zhvillojmë në këto klinika do të na ndihmojnë të dallojmë shenjat e para të sëmundjes përpara se të shfaqen simptomat. Gjithashtu, njerëzit do të marrin këshilla dhe plane të personalizuara për të ulur rrezikun dhe për të ruajtur sa më gjatë shëndetin e trurit”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave të Universitetit të Exeter-it, rreth 982 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë me demencë. Deri në vitin 2040, kjo shifër parashikohet të arrijë në 1.4 milionë, ndërsa shpenzimet vjetore për përballimin e sëmundjes mund të kalojnë 90 miliardë paundë.
Ndërkohë, organizata britanike për kërkimin dhe inovacionin ka vënë në dispozicion deri në 80 milionë paundë për zhvillimin e teknologjive që do të ndihmojnë në diagnostikimin e personave me dyshime për demencë. Synimi është që deri në vitin 2029, 92% e tyre të marrin një diagnozë brenda 18 javësh nga referimi për kontroll.
Projekti BRAINIAC synon gjithashtu të shkurtojë me 30 deri në 50% kohën e kontrolleve dhe diagnostikimit, si dhe të identifikojë më shumë se 40% të personave që kanë shenja të hershme rreziku, përpara se të shfaqen simptomat.
Zëvendësdrejtori i projektit, Chris Fox, profesor i psikiatrisë klinike, theksoi se trajtimet ekzistuese janë më të dobishme kur sëmundja zbulohet në kohë.
“BRAINIAC do t’i japë NHS-së mjetet për të zbuluar sëmundjen më herët dhe për të kontrolluar një numër më të madh njerëzish. Këto teknologji do të zhvillohen në bashkëpunim me pacientët dhe mjekët, në mënyrë që të jenë të përdorshme në klinikat e përditshme dhe jo vetëm në teori”, u shpreh ai.
Në projekt do të marrin pjesë edhe universitete të njohura si Cambridge, Oxford, Newcastle, Swansea dhe Imperial College London, si dhe organizata që mbështesin personat me demencë dhe familjarët e tyre, përfshirë Dementia UK dhe Alzheimer’s Society.
BRAINIAC është një nga pesë qendrat e reja kërkimore që do të financohen në Britani. Sipas drejtueses së Këshillit për Kërkimet në Inxhinieri dhe Shkencat Fizike, Charlotte Deane, këto projekte synojnë të sjellin përparime shkencore që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e njerëzve dhe ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve.
/tvklan.al













