29 tetor 2026 – Për më shumë se 20 vjet, Google ka ndërtuar një perandori ekonomike mbi kërkimet në internet.
Përdoruesit shkruajnë një pyetje, marrin rezultatet dhe klikojnë në lidhje, ndërsa kompania fiton miliarda dollarë nga reklamat.
Por inteligjenca artificiale po ndryshon këtë model, pasi u jep përdoruesve përgjigje të drejtpërdrejta dhe ul nevojën për të vizituar faqe të tjera interneti.
Rezultatet financiare të publikuara më 28 tetor nga Alphabet, kompania mëmë e Google, treguan se të ardhurat u rritën me 25%, duke arritur në 127.6 miliardë dollarë në 3-mujorin e tretë të vitit 2026.
Megjithatë, kompania shpenzoi 51.4 miliardë dollarë, kryesisht për investime në inteligjencën artificiale, ndërsa fluksi i lirë i parasë rezultoi negativ me 9.1 miliardë dollarë.
Kjo do të thotë se, në këtë tremujor, Google shpenzoi më shumë para sesa i mbetën “të lira” pas shpenzimeve të investimeve.
Sipas artikullit të Corriere della Sera, kjo ndodhi për të dytin 3-mujor radhazi, një situatë e paprecedentë për kompaninë që nga dalja e saj në bursë në vitin 2004.
Investitorët reaguan duke shitur aksionet e Alphabet, të cilat ranë me më shumë se 10% në tregtimin pas mbylljes së bursës më 28 tetor. Nëse kjo rënie do të konfirmohej gjatë seancës së radhës, kompania mund të humbiste mbi 400 miliardë dollarë nga vlera e saj në bursë.
Problemi kryesor është se inteligjenca artificiale mund të ndryshojë mënyrën sesi Google fiton para nga reklamat. Me sistemin e ri AI Mode, përdoruesit marrin përgjigje të krijuara nga inteligjenca artificiale, pa pasur nevojë të klikojnë domosdoshmërisht në faqet e internetit. Kjo bën që reklamat në kërkimet e reja të sjellin aktualisht më pak të ardhura sesa ato në kërkimet tradicionale.
Google po investon miliarda dollarë për të mos mbetur pas në garën e inteligjencës artificiale, por pikërisht kjo teknologji mund të dobësojë modelin e reklamave, që e ka bërë kompaninë një nga gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë.
/tvklan.al








