Pesë vjet pasi Sicilia regjistroi temperaturën rekord prej 48.8 gradë Celsius, vera e vitit 2026 ka arritur në temperatura deri në 40 gradë. Por tashmë, nuk bëhet më fjalë vetëm për ditë të izoluara me temperatura ekstreme, por për javë dhe madje muaj të tërë me vapë të pandërprerë, edhe gjatë natës.
Në qytetin e Floridias, pranë Sirakuzës, temperaturat po ndryshojnë jetën e përditshme, po boshatisin sheshet dhe po rëndojnë mbi bujqësinë.
Në mes të gushtit, Floridia duket ndryshe nga ajo që banorët kanë njohur për dekada. Sheshet, rrugët dhe hapësirat publike, që gjatë verës kanë qenë qendra e jetës sociale, mbeten pjesërisht të boshatisura.
Në orët e pikut, njerëzit preferojnë të qëndrojnë brenda. Por problemi nuk përfundon me perëndimin e diellit.
Vapa vazhdon edhe gjatë natës, duke mos i lënë trupit mundësinë të çlodhet dhe temperaturat nuk japin atë lehtësim që dikur i kthente banorët në sheshe e rrugica.
Në këtë qytet me rreth 20 mijë banorë, tradita siciliane e të qëndruarit jashtë në mbrëmje po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
“Ne nuk po flasim më për temperatura ekstreme që zgjasin një ose dy ditë, siç ndodhi në vitin 2021. Tani kemi javë, madje edhe muaj të tërë me temperatura vazhdimisht të larta. Dhe këto temperatura janë të larta jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës, kur normalisht duhet të ketë të paktën njëfarë lehtësimi, kur njerëzit zakonisht do të dilnin në sheshet e qyteteve të Sicilisë dhe do të mblidheshin së bashku”, pohoi drejtori i Agrometeorologjisë së Sicilisë.
Luigi Pasotti, drejtues i Shërbimit të Informacionit Agrometeorologjik të Sicilisë, thotë se pasojat nuk maten vetëm me termometrin. Vapa po ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe ndërveprojnë.
“Shumë njerëz dekurajohen të dalin nga shtëpitë, madje edhe në mbrëmje, sepse nuk ka lehtësim nga nxehtësia. Kjo po ndërpret deri diku edhe jetën sociale. Po dëshmojmë një rënie të ndërveprimit social, që e bën këtë periudhë të ngjashme me izolimin e kohës së COVID-it.”
Pesë vite më parë, Floridia u bë simbol i ndryshimeve klimatike në Evropë.
Më 11 gusht 2021, një stacion meteorologjik pranë Monasterit, rreth pesë kilometra nga qendra e Floridias, regjistroi 48.8 gradë Celsius.
Në vitin 2024, Organizata Botërore Meteorologjike e certifikoi këtë matje si temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në Evropën kontinentale. Rekordi vijon të qëndrojë.
Por për shkencëtarët, shqetësimi kryesor nuk është vetëm rekordi. Është rritja e vazhdueshme e temperaturave mesatare dhe zgjatja e periudhave të të nxehtit.
Jeta zhvendoset nga rruga brenda mureve të shtëpisë, ndërsa parqet dhe këndet e lojërave mbeten bosh.
Por nxehtësia po godet drejtpërdrejt edhe ekonominë dhe bujqësinë, një nga shtyllat e rëndësishme të Sicilisë.
Tokat janë të thara, bimësia është dëmtuar dhe mungesa e ujit përkeqëson pasojat e temperaturave të larta.
Në një nga zonat e prekura, bletërritësi Francesco Pappalardo kontrollon kosheret e tij.
Për bletët, temperaturat ekstreme mund të jenë fatale.
“Nxehtësia jashtë është shumë intensive. Disa familje bletësh mund të shemben, një ose disa prej tyre, madje mund të ndodhë edhe me të gjithë parkun e koshereve, siç më ka ndodhur mua në vitet e mëparshme.”
Kolonitë më të dobëta e kanë edhe më të vështirë përballimin e vapës.
Temperaturat e larta dëmtojnë strukturat prej dylli të koshereve dhe mund të shkaktojnë shembjen e tyre.
“Ka familje që kanë më pak bletë dhe nuk janë në gjendje ta përballojnë nxehtësinë. Si pasojë, kapaku prej dylli shkrihet dhe shembet. Kur shembet, bletët e tjera e kuptojnë se mjalti po rrjedh dhe shkojnë për të sulmuar kosheren.”
Sipas një studimi të shoqatës së bletërritësve të Sicilisë, vetëm në vitin 2021, në zonën e maleve Iblei u humbën të paktën 3 mijë koshere.
“Gjatë dhjetë viteve të fundit kemi parë kulme të temperaturave të verës. Në fakt, viti 2021, me rekordin prej 48.8 gradë Celsius, na tregoi se vetëm në zonën e maleve Iblei, sipas një sondazhi të kryer nga shoqata jonë mes anëtarëve, u shkaktua humbja e të paktën 3 mijë koshereve.”
Sicilia po përballet me një verë që nuk karakterizohet më vetëm nga ditët rekord.
Për banorët e Floridias, ndryshimi nuk është më një parashikim për të ardhmen, pasi tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë.
Klan News
/tvklan.al






