Kombëtarja e Spanjës do të përballet me dy mungesa të rëndësishme në repartin ofensiv përpara sfidës ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Trajneri Luis de la Fuente nuk do të ketë në dispozicion Lamine Yamal dhe Mikel Oyarzabal, dy prej lojtarëve kryesorë të përfaqësueses iberike.

Talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, po vuan nga një shqetësim në gju, pas përballjes së fundit me Atletico Madridin.

Pas konsultimeve mes stafit mjekësor të klubit katalanas dhe atij të kombëtares, është vendosur që 19-vjeçari të qëndrojë në Katalonjë për të vijuar rikuperimin, duke shmangur çdo rrezik për përkeqësimin e gjendjes së tij.

Ndërkohë, kapiteni i Real Sociedadit, Mikel Oyarzabal, nuk do të jetë gjithashtu në dispozicion për shkak të një gjendjeje gripale.

Sulmuesi po qëndron në San Sebastian, ndërsa gjendja e tij po monitorohet nga stafi mjekësor i Spanjës.

Megjithatë, sipas Federatës Spanjolle të Futbollit, të dy lojtarët mund t’i bashkohen grupit në ditët në vijim, me synimin për të qenë të gatshëm për përballjen ndaj Anglisë.

Në kushtet e këtyre mungesave, De la Fuente ka ndërhyrë edhe në listën e të grumbulluarve, duke thirrur Jorge de Frutos të Rayo Vallecanos, i cili zë vendin e të dëmtuarit Ander Barrenetxea.

Spanja do të përballet me Republikën Çeke më 12 nëntor, ndërsa më 15 nëntor do të luajë ndaj Anglisë.

Dy sfida të rëndësishme, për të cilat trajneri De la Fuente shpreson të ketë sa më shpejt në dispozicion edhe dy nga pikat e tij kryesore të sulmit.

Klan News

/tvklan.al