10 nëntor 2026- Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Opinion”, në TV Klan ka dhënë detaje mbi organizimin dhe aktivitetin e një grupi kriminal, duke u ndalur te roli i Franc Çopjas dhe Ervis Çelës, që SPAK i akuzon si drejtues të organizatës që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, ndërsa pasuritë e sekuestruara kapin vlerën e mbi 9 milionë eurove.

Sipas Lalës, në organizatën e përmendur, një prej personave kryesorë është Ervis Çela, i cili nuk ishte bërë i njohur për autoritetet deri në momentin e arrestimit në Qeparo.

Gazetarja u ndal edhe te përplasjet e përgjakshme mes Franc Çopjas dhe Erion Alibejt, duke shpjeguar se konflikti mes tyre nisi për çështje të trafikut të drogës në Britaninë e Madhe. Përplasjet tha ajo kulmuan me masakrën e Bradasheshit dhe më pas vijuan me një seri vrasjesh.

Lala zbuloi gjithashtu detaje nga mënyra se si grupi menaxhonte paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal.

Ajo tregoi se në një moment, grupit i ishte prishur makina e numërimit të parave dhe anëtarët kishin kërkuar një tjetër pajisje për t’i numëruar ato, detaj që, sipas saj, ndodhet edhe në dosjen hetimore.

Një tjetër element i veçantë që përmendi gazetarja ishte përdorimi i kriptomonedhave dhe lingotave të arit. Sipas saj, Franc Çopja ishte i pari që futi këto forma të ruajtjes së pasurisë në aktivitetin e grupit kriminal.

Ndërkohë, pasuria e sekuestruar në kuadër të hetimeve ndaj këtij grupi kriminal kap vlerën e 9.2 milionë eurove.

“ Në këtë organizatë që ju nxorët, kryesori është Ervis Çela. Franc Çopja ka një sërë vrasjesh në përballjen me Erjon Alibej, që është kreu i një grupimi kriminal. Konflikti nisi për çështjet e drogës në Britaninë e Madhe, ndodhi masakra e Bradasheshit dhe më pas u bë sërish seri vrasjesh. Ndërkohë, Ervis Çela nuk është njohur deri në ditën kur është arrestuar në Qeparo, sepse ai kishte jetuar 25 vjet në Paraguai.

Ore, këtu ka një problem. Atyre u prishet makina e numërimit të parave dhe kanë kërkuar një makinë për t’i numëruar. Këtë e ke në dosje. Franc Çopja është i pari që futi kriptomonedhat dhe lingotat e arit. Këta, për herë të parë, i groposën në ullinj. Pasuria e sekuestruar është 9.2 milionë euro.”, tha ajo.

Gjatë hetimeve nga SPAK janë dokumentuar pesë episode të rëndësishme të sekuestrimit të sasive të mëdha të kokainës në portet europiane.

Sipas SPAK, bëhet fjalë për:

Dhjetor 2019 – Rotterdam, Holandë: rreth 255 kilogramë kokainë.
Prill 2020 – Barcelona, Spanjë: rreth 495 kilogramë kokainë.
Maj 2020 – Rotterdam, Holandë: rreth 300 kilogramë kokainë.
Nëntor 2020 – Holandë: rreth 600 kilogramë kokainë.
Shkurt 2021 – Hamburg, Gjermani: rreth 17 tonë kokainë.

/tvklan.al