Analisti Baton Haxhiu ka shkruar së fundmi dy libra, të cilët rrëfejnë histori të kaluara të rëndësishme të kombit shqiptar.

Haxhiu sjell dy librat “Kosova, historia që zhbëri Jugosllavinë” dhe “Brenda luftës”.

Haxhiu, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan deklaroi se historitë në libra janë tërësisht të vërteta dhe ka përshkruar edhe personazhet në to, që tregohen ashtu siç ishin, në mënyrë krejt reale. Tregoi edhe me detaje se çfarë përshkruhet në libra.

Baton Haxhiu: Unë mendoja se në Hagë do të jepej një vendim pozitiv dhe mendoja se librat do të dilnin sapo të liroheshin Thaçi dhe komandantët e tjerë të UÇK-së, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Ajo që kam shkruar është e vërteta ime. Kam përshkruar gjithçka në mënyrë realiste, jam i vërtetë 100 përqind.

Libri “Brenda luftës” tregon një periudhë të jetës sime, edhe para kohës së luftës të Kosovës, kur po përgatitej ajo që do vinte më vonë. Te libri “Brenda luftës” kam përshkruar personazhe, që i kam paraqitur ashtu siç kanë qenë. Libri kam menduar gjithmonë se do jetë i rëndësishëm kur shkruhen ngjarjet siç kanë ndodhur dhe kur nuk ka heroizma të stërmadhuara. Në libra ka edhe dokumente të rëndësishme.

Shkatërrimi i Jugosllavisë ka një moment tepër të rëndësishëm, kur lirohen nga burgu nacionalistët më të thekshëm, që ishin boshnjakë, shqiptarë e kroatë. Ndër ta ishte Adem Demaçi, që ishte frymëzim për shqiptarët e Kosovës. Moment i rëndësishëm për kombet përkatëse ishte dhe lirimi i Tuxhmanit dhe i Alija Izetbegoviçit.

Në libër tregohet se Millosheviçi nuk pranonte shqiptarët në procese zgjedhore. Mirëpo, kishte propozime ndërkombëtare që shqiptarët të hynin në zgjedhje. Millosheviçi nuk donte shqiptarët, edhe sepse me to, ai humbte zgjedhjet. Kjo ishte edhe një arsye e gjenocidit të tij ndaj shqiptarëve, ishin llogari elektorale. Kjo ishte mendësia e një lideri diktator të tmerrshëm gjenocidal.

E vetmja që ka shpëtuar Kosovën nga Jugosllavia ka qenë ëndrra për Shqipërinë. Babai im më ka gënjyer sesi ishte Shqipëria. Ishte një gënjeshtër e bukur, që u kthye në realitet me kohën, pasi sot Tirana është kryeqendra e shqiptarizmës.

/tvklan.al