Një dollap, i mbyllur hermetikisht për pothuajse 2000 vjet në Pompei, ka zbuluar një pamje të detajuar të jetës së një banori përpara se mali Vezuv të shkatërronte qytetin e lashtë romak. Mes objekteve të gjetura kishte gjithçka, nga mjetet e kozmetikës dhe parfumet e deri te monedhat, enët e gatimit dhe hajmalitë e fëmijërisë.
Qyteti dikur i lulëzuar i Pompeit, pranë Napolit, u mbulua nga një shpërthim vullkanik në vitin 79 pas Krishtit, duke ruajtur ndërtesa, objekte dhe mbishkrime nën metra të tëra hi.
Arkeologët rindërtuan pjesët e dollapit prej druri duke u bazuar në gjurmët e gjetura në një shtëpi në “Via dell’Abbondanza”, një nga rrugët më të frekuentuara të Pompeit të lashtë, njoftoi Parku Arkeologjik i Pompeit përmes një deklarate.
“Në Pompei, është e mundur të gjenden jo vetëm vepra të mëdha arti, por edhe objekte që tregojnë historinë e jetës së përditshme, të mbetura pikërisht aty ku ndodheshin në momentin e shpërthimit në vitin 79 pas Krishtit dhe që nuk u rikuperuan kurrë. Në këtë rast, bëhet fjalë për një dollap të gjetur në një shtëpi që ndoshta i përkiste një gruaje, pasi aty gjendeshin gjithashtu produkte kozmetike dhe mjete për kujdesin personal, si dhe vazo e pesha prej plumbi”, deklaroi Gabriel Zuchtriegel, drejtor i Parkut Arkeologjik të Pompeit.
Mes objekteve të ruajtura brenda ndodhej një gjerdan i përbërë nga të paktën 24 elemente të vogla prej kocke, paste qelqi, balte dhe kristali shkëmbor. Këto përfshinin figura të hyjnive Bes dhe Merkur, si dhe miniatura në formë duarsh, këmbësh, boçe pishe dhe bistak rrushi.
Këto lloj gjerdanësh, të njohur si crepundia, u dhuroheshin tradicionalisht fëmijëve romakë; ato shërbenin si hajmali mbrojtëse, por edhe si objekte që lëshonin zhurmë, duke u mundësuar të rriturve t’i mbanin fëmijët nën vëzhgim.
Ndonjëherë, ato ruheshin edhe në moshën madhore si kujtime të fëmijërisë, duke krijuar një lidhje tejet personale me banorin e panjohur të asaj shtëpie.
“Ajo që shohim, pra, është një lloj portreti i fragmentuar i një personi që jetonte në Pompei 2000 vjet më parë, në një shtëpi të klasës së mesme me dhoma të zbukuruara bukur me afreske, por edhe me disa minj në papafingo që kërkonin ushqim. Gjetëm dy minj të egër brenda një amfore. Edhe ata ngordhën në atë ditë fatkeqe të vitit 79 pas Krishtit”, pohoi Zuchtriegel.
Gjetje të tjera rrëfejnë një histori më të zakonshme të jetës së përditshme.
Aty u gjetën një shishe e vogël qelqi për parfume ose pomada, si dhe një enë për djegien e temjanit, së bashku me enë prej bronzi, qelqi e qeramike, si dhe enë gatimi. Prania e peshave prej plumbi brenda një kutie druri sugjeron se dikush në atë shtëpi merrej me tregti.
Klan News
/tvklan.al






