Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, raportohet se është larguar nga banesa e tij dhe është zhvendosur në një bazë ushtarake, pas kërcënimeve me vdekje që dyshohet se kanë ardhur nga Irani. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta The New York Times, e cila citon tre burime të mirëinformuara.
Sipas raportimit të gazetës, gjatë javëve të fundit autoritetet amerikane kanë konstatuar një “fazë më të avancuar” të komploteve iraniane që synojnë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të administratës amerikane. Megjithatë, shkalla e rrezikut dhe sa të menjëhershme janë kërcënimet ndaj Bessent mbeten ende të paqarta.
Që prej muajit gusht, sekretari amerikan i Thesarit është në krye të fushatës së presionit ekonomik të administratës amerikane kundër Teheranit. Kjo strategji synon izolimin financiar të Iranit përmes sanksioneve më të ashpra dhe kufizimeve ndaj rrugëve tregtare.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Thesarit deklaroi për The New York Times se Bessent “nuk do të frikësohet nga kërcënimet e regjimit iranian” dhe se do të vijojë zbatimin e fushatës së presionit ekonomik ndaj Teheranit.
Nga ana e tij, Irani ka mohuar më herët se synon të organizojë atentate kundër zyrtarëve apo personave në territorin amerikan. Ndërkohë, Uashingtoni vlerëson se kapacitetet e Teheranit për të ndërmarrë sulme në shkallë të gjerë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera mbeten të kufizuara.
/tvklan.al







