Eminenca e tij Kardinal Ernest Simoni Troshani teksa me të mbërritur ne burgun famëkeq të Spaçit, sheh nga afër imazhet e disa prej bashkëvuajtësve të tij ne kohën e diktaturës.

Më pas i drejtohet altarit për të drejtuar meshën e shenjtë ku morën pjesë ish-të persekutuar, besimtarë të shumtë, por edhe përfaqësues të besimeve fetare dhe të politikës. Kardinali Simoni rikthen në vëmendje arrestimin dhe persekutimin e tij qe iu bë në diktature.

“Fjalë të pakta natën e Krishtlindje e 63-shit mbasi e thashë meshën, tërë popullin në meshë, më vunë hekurat, në emër të popullit i dënuam për tu varur në litar. Arsyeja, pse kishe thënë si po i them sot popullit jeni të gjithë bijtë e zotit. Krishti është babai i gjithë njerëzimit, i gjithë njerëzve të gjitha fenve që janë ka derdhur gjakun për gjithë njerëzit jo vetëm për katolikët”, tha ai.

Përpara pjesëmarrësve të shumtë në oborrin e burgut te Spaçit, Ernest Simoni pati edhe një mesazh.

“Jeni bijtë e të madhit zot, me e dashur njëri-tjetrin, me e dashur atdheun, me e mbrojtur të vërtetën, me përhap të vërtetën. Kur peshkatari gjen peshq, gjen peshq të mëdhenj të mirë, po gjen edhe peshq të tjera. Kur të vijë Krishti engjëjt kanë për t’i ndarë i peshqit e këqij veç, të mirët më vete”, tha ai.

Për jetën e tij të përkushtuar pavarësisht vështirësive dhe torturave qe kaloi ne burg, kardinalit 98-vjeçar iu dha edhe një dekorate mirënjohje.  Gjithashtu për kontributin e tij të vyer shpirtëror ndaj bashkëvuajtësve të tij ne Spaç, iu bë edhe një dhuratë simbolike domethënëse.

Një mesazh urimi nga Vatikani për Enest Simonin erdhi edhe nga Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV

“Vëlla i nderuar,me një mallëngjim të thellë bashkohem shpirtërisht me Eminencën Tuaj dhe me të gjithë ata që janë mbledhur në ish-kampin e burgimit të Spaçit, ku Ju ktheheni pas kaq vitesh për të kremtuar Eukaristinë, Sakrificën e Krishtit, e cila e shndërroi Kryqin nga shenjë vdekjeje në premtim jete. Ai vend, i gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar, mbetet një prej faqeve më të dhimbshme të historisë së tij. Bashkohem në lutje për ata që kanë vuajtur dhe kanë vdekur në Spaç, që kujtimi i tyre të mbetet i gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e pacenueshëm të personit njerëzor, vlerën e lirisë dhe angazhimin për paqen”, tha Papa Leoni XIV.

Për shkak te vështirësive dhe persekutimit qe ka kaluar ne regjimin komunist, Papa Françesku e ka konsideruar Kardinalin 98-vjeçar shqiptare si “Martir i Gjalle”.

/tvklan.al