27 tetor 2026 – Diplomatja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, ka hyrë në garën për të pasuar António Guterres në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ajo ka ndihmuar në sigurimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Gaza gjatë kohës kur shërbente si ambasadore e Emirateve në OKB.

Nusseibeh, 48 vjeçe, me origjinë palestineze, njihet për mbështetjen e çështjes palestineze dhe zgjidhjes me dy shtete. Kandidatura e saj ka marrë edhe mbështetjen e Shtetit të Palestinës.

Megjithatë, kandidatura e saj është shoqëruar me kritika për rolin e Emirateve në konfliktin në Sudan.

Vendi akuzohet se ka furnizuar me armë Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat janë akuzuar për gjenocid nga dy administrata të njëpasnjëshme amerikane.

Nusseibeh ka qenë një nga diplomatët që ka mohuar raportimet se Emiratet i kanë furnizuar me armë këto forca, të drejtuara nga Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti.

Hyrja e saj në garë ka shkaktuar gjithashtu kundërshtime nga grupimi i shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC). Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ky grupim ka kundërshtuar kandidaturën e saj, duke pretenduar se ajo u shpall në një moment kur po krijohej konsensus që posti i drejtuesit të OKB-së t’i takonte një përfaqësuesi nga rajoni i tyre.

Nusseibeh e ka justifikuar kandidaturën e vonuar me ngërçin në garë. Pas gjashtë raundesh votimi, asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të sigurojë një epërsi të qartë.

Në votimin e fundit paraprak, më 16 tetor, kryesonte Rebeca Grynspan nga Kosta Rika. Ajo kishte mbështetjen e nëntë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, por pesë anëtarë kishin shprehur kundërshtime ndaj kandidaturës së saj. Kjo e vështirëson mundësinë që ajo të bëhet kandidatja e pranueshme për të gjitha palët.

Mes kandidatëve të tjerë janë diplomati argjentinas Rafael Grossi, përfaqësuesja e Guajanës në OKB, Carolyn Rodrigues-Birkett, diplomati ugandas Olara Otunnu dhe ish-ministrja e Jashtme e Ekuadorit, María Fernanda Espinosa. António Guterres pritet të largohet nga detyra në fund të vitit.

Në programin e saj, Nusseibeh thekson se sfida kryesore e OKB-së është rikthimi i besimit mes shteteve dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar.

Kandidatura e saj ka marrë mbështetje edhe nga disa figura diplomatike. Brett McGurk, ish-këshilltar i lartë për sigurinë kombëtare në administratën Biden, e ka vlerësuar për punën e saj në lidhje me ndihmat humanitare për Gazën. Edhe diplomati bullgar Nickolay Mladenov, i cili drejton Bordin e Paqes për Gazën të Donald Trump, ka vlerësuar aftësinë e saj për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes palëve.

Megjithatë, aktivistët për të drejtat e njeriut kundërshtojnë kandidaturën e saj për shkak të situatës së të drejtave të njeriut në Emirate dhe akuzave për mbështetjen e RSF-së në Sudan.

Një raport i vitit 2024 i panelit të ekspertëve të OKB-së i cilësoi si të besueshme disa pretendime për kontrabandimin e armëve nga Emiratet drejt këtyre forcave.

Një nga kritikët më të fortë të kandidaturës është Kenneth Roth, ish-drejtori ekzekutiv i Human Rights Watch. Ai ka kritikuar mohimet e Nusseibeh për çdo mbështetje ushtarake, logjistike, financiare apo politike të Emirateve ndaj palëve në konfliktin sudanez.

Nga ana e tyre, Emiratet deklarojnë se mbështesin krijimin e një qeverie civile në Sudan.


/tvklan.al