18 tetor 2026 – Presidenti amerikan Donald Trump po heq dorë nga vendosja e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke lënë Ukrainën dhe Europën më të pambrojtura.

Sipas analizës së La Repubblica, me këtë vendim Trump po i kthen shpinën edhe trashëgimisë politike të një prej aleatëve të tij më të afërt në Kongres, senatorit Lindsey Graham, i cili kishte mbështetur një ligj për të ashpërsuar masat ekonomike ndaj Moskës.

Vendimi i Trump lidhet, sipas analizës, me dy interesa kryesore. I pari është ulja e çmimeve të karburanteve në SHBA, ose të paktën krijimi i përshtypjes se ato po bien, përpara zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor.

I dyti është bindja e presidentit rus Vladimir Putin që të ushtrojë presion maksimal ndaj aleatit të tij, Iranit, për t’i dhënë fund luftës me të cilën Washingtoni po përballet me vështirësi.

Ligji i njohur si “Graham Act” parashikonte sanksione të reja ndaj vendeve që importojnë gaz dhe naftë ruse, tarifa deri në 500% për mallrat ruse që eksportohen në SHBA, si dhe masa kundër flotës së fshehtë të anijeve që ndihmojnë Moskën të shmangë kufizimet tregtare.

Ligji hyn në fuqi, por i jep presidentit mundësinë ta pezullojë zbatimin e tij. Trump ka zgjedhur ta përdorë këtë mundësi.

I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, e ka cilësuar pezullimin si një moment historik. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar si një shpërblim për agresorin.

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se sanksionet e tij ndaj Rusisë mbeten në fuqi, por ka theksuar se nevojiten masa të tjera.

Sipas analizës, ky vendim vjen pas marrëveshjes së Trump me Putinin për naftën dizel dhe ndërprerjes së aksesit të ukrainasve në shërbimin Starlink. Këto zhvillime interpretohen si shenja të një afrimi të mëtejshëm të Uashingtonit me Moskën dhe të rritjes së presionit ndaj Kievit.

Trump synon gjithashtu, sipas autorit, të sigurojë bashkëpunimin e Putinit për t’i dhënë fund luftës me Iranin dhe të krijojë mundësi për marrëveshje të reja ekonomike me Rusinë.

Ndërkohë, Zelensky shpreson ende për një takim trepalësh me Trump dhe Putinin, që mund të zhvillohet gjatë samitit të G20-s në Miami, në mesin e dhjetorit, megjithëse ende nuk ka konfirmim.


/tvklan.al