Në një qendër parashikimi fati në lagjen luksoze Gangnam të Seulit, një qenush me emrin E-seul nuhat disa letra taroti të shtruara mbi tavolinë, derisa ndalet dhe vendos putrën mbi disa prej tyre.

Përballë tij, lexuesja e taroteve Hwang Soo-kyung merr letrat që ka zgjedhur qeni dhe nis të interpretojë atë që, sipas saj, mund të jetë gjendja emocionale e kafshës.

Kjo është pjesë e një shërbimi gjithnjë e më të përhapur në Korenë e Jugut, i njohur si “taroti për kafshët shtëpiake”.

“Qenushi im ka kaluar trauma, ndryshe nga shumë qen të tjerë, ndaj isha vërtet kureshtare të kuptoja çfarë mendon. Ai fle çdo natë pranë meje dhe më ndjek kudo si një truprojë. Pyesja veten nëse kjo e lodh apo nëse ndihet mirë, prandaj doja ta kuptoja më mirë”, tha Ryu Su-mi.

Taroti për kafshët po fiton popullaritet në Korenë e Jugut, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të mbajnë kafshë shtëpiake në vend që të krijojnë familje. Kjo lidhet edhe me rënien e lindshmërisë, e ndikuar nga kostot e larta të banesave dhe arsimit.

Hwang, e cila drejton qendrën “Ace Sophia”, thotë se kafshët i zgjedhin letrat përmes nuhatjes ose prekjes.

“Përmes nuhatjes, kafsha zgjedh një letër duke vendosur putrën ose, nëse është më aktive, duke e prekur me hundë. Ne interpretojmë pikërisht letrat që ajo ka zgjedhur”, tha Hwang Soo-kyung.

Në një seancë tjetër, një qen i quajtur Khan nuhat letrat dhe vendos putrën mbi njërën prej tyre. Pronarja e tij, Ahn Hye-joo, pret me ankth interpretimin e kartës, ku paraqitet një qen që ndjek pronarin e tij.

Pas shpjegimit të lexueses së tarotit për emocionet e Khanit, Ahn thotë se kjo përvojë i ka ndryshuar mënyrën se si e kupton sjelljen e qenit të saj.

“Për mua, kjo është vlera e tarotit. Më parë arrija të kuptoja vetëm disa emocione të thjeshta, si kur ishte i sëmurë, i lumtur apo i trishtuar. Tani kam ndjesinë se taroti më ndihmon të kuptoj shumë më tepër, sikur kafsha të flasë në dhjetëra mënyra të ndryshme”, tha Ahn Hye-joo.

Hwang, e cila hapi qendrën e saj në vitin 2014, thotë se interesi për këtë shërbim është rritur ndjeshëm, pasi shumë njerëz i konsiderojnë kafshët shtëpiake pjesë të familjes, ose shoqërinë e tyre më të afërt.

Sipas saj, klientët rrallë mjaftohen me vetëm një seancë, ndërsa çdo konsultë kushton 20 mijë won, rreth 14 dollarë.

Ajo ka krijuar edhe një set të veçantë letrash taroti për kafshët, pasi shumë pronarë e kanë pyetur nëse mund të kuptojë mendimet e qenve, maceve, por edhe të breshkave apo zvarranikëve.

Sipas interpretimit të saj, nëse një kafshë zgjedh një letër me simbolin e shpatave, kjo mund të tregojë se ajo ka shqetësime fizike, si për shembull dhimbje në kyçe.

/tvklan.al