Shëngjini u kthye në qendrën e promovimit të verës shqiptare, duke mirëpritur edicionin e  parë të Panairit të Verës. Dhjetëra vizitorë dhe pjesëmarrës u bënë pjesë e një mbrëmjeje festive, ku shija e verës u ndërthur me performanca artistike, duke krijuar një atmosferë të veçantë përgjatë bregdetit.

Aktiviteti mblodhi së bashku 12 kantina vere nga e gjithë Shqipëria, të cilat prezantuan dhe promovuan verërat e tyre autoktone, duke vënë në pah traditën, cilësinë dhe potencialin e prodhimit vendas.

Përveçse një destinacion turistik bregdetar, Shëngjini po promovon gjithnjë e më shumë edhe kulturën, traditën dhe gastronominë shqiptare, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të plotë turistike.

“Shëngjini nuk ofron vetëm detin, por ofron traditën, kulturën dhe shijen e vërtetë të këtyre prodhuesve vendas në gjithë në gjithë Shqipërinë. Ne duhet t’i japim më shumë rëndësi prodhimeve vendase sesa sa të huaj, të promovojmë punën tonë”, tha Eueda Molla.

Prodhuesit e verës vlerësuan rëndësinë e organizimit të panaireve të tilla, duke theksuar se promovimi dhe rritja e konsumit të verës shqiptare nxit zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me vreshta dhe kontribuon në zhvillimin e një turizmi elitar, të lidhur ngushtë me agroturizmin dhe produktet shqiptare. Panairi i Verës në Shëngjin u mirëprit nga vizitorët vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një festë të traditës, shijes dhe kulturës shqiptare.

/tvklan.al