Kujtesa mund të dobësohet me kalimin e moshës, por edhe mënyra se si jetojmë, përdorimi i tepërt i teknologjisë dhe mungesa e përqendrimit mund të ndikojnë në aftësinë tonë për të mbajtur mend, bë të ditur një artikull i The Guardian. Ekspertët thonë se truri mund të stërvitet njësoj si çdo aftësi tjetër dhe se disa zakone të thjeshta të përditshme mund të ndihmojnë në përmirësimin e kujtesës.

Stërvitni kujtesën dhe mos u mbështetni gjithmonë te teknologjia

Sania Alam, themeluese e Futuristic Learning, e cila trajnon njerëz për të zhvilluar aftësitë e kujtesës, thekson se nuk duhet të mbështetemi gjithmonë te pajisjet elektronike.

“Kujtesa është një aftësi që mund të zhvillohet. Mund ta stërvitni, njësoj siç mësoni të ngisni biçikletën apo makinën”, shprehet ajo. Sipas Alam, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj informacionit, inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale po ndikon në aftësinë tonë për të kujtuar, madje edhe te personat e rinj në moshë. Ajo këshillon përdorimin e teknikave të posaçme të kujtesës, në mënyrë që të mos varemi gjithmonë nga teknologjia.

Mësoni vazhdimisht aftësi dhe gjëra të reja

Një tjetër mënyrë për të mbajtur trurin aktiv është të mësoni vazhdimisht gjëra të reja. Barbara Sahakian, profesore e psikiatrisë në Universitetin e Kembrixhit, sugjeron aktivitete që kërkojnë përqendrim dhe sfidojnë mendjen, si shahu, mësimi i një gjuhe të huaj apo luajtja e një instrumenti muzikor.

“Mënyra më e mirë për të përmirësuar kujtesën është ta mbani trurin aktiv, duke mësuar gjëra të reja dhe duke u përfshirë në aktivitete që e sfidojnë mendërisht”, thotë ajo. Sipas Sahakian, studimet kanë treguar se aktivitetet që kërkojnë përpjekje mendore mund të ndikojnë edhe në strukturën e trurit, duke ndihmuar në ruajtjen e funksioneve të tij për më gjatë.

Lexoni libra rregullisht

Edhe leximi i librave, qofshin romane apo materiale informuese, konsiderohet një mënyrë e dobishme për të përmirësuar kujtesën. Ai ndikon pozitivisht në aftësitë njohëse dhe humorin, ndërsa studime të ndryshme e lidhin leximin me uljen e rrezikut të rënies së funksioneve njohëse dhe demencës në moshë të madhe.

Shmangni shpërqendrimet dhe përqendrohuni te një detyrë

Ekspertët këshillojnë gjithashtu shmangien e shpërqendrimeve, veçanërisht atyre që shkaktohen nga telefoni celular. Sahakian shpjegon se kalimi i vazhdueshëm i vëmendjes nga një aktivitet te tjetri e vështirëson përqendrimin dhe aftësinë për të përfunduar një detyrë. Madje, edhe një telefon i fikur, nëse ndodhet pranë nesh, mund të shpërqendrojë mendjen.

Përdorni histori dhe imazhe mendore për të memorizuar informacionet

Për të memorizuar më lehtë informacionet, Katie Kermode, kampione e kujtesës, rekomandon përdorimin e historive dhe imazheve mendore. Një prej metodave që ajo sugjeron është teknika e udhëtimit, ku çdo informacion lidhet me një objekt ose personazh dhe të gjitha së bashku krijojnë një histori. Kjo mënyrë mund të përdoret për të mbajtur mend një listë, emra apo edhe informacione të ndërlikuara.

Krijoni një “pallat të kujtesës” duke lidhur informacionet me vende të njohura

Një teknikë tjetër është krijimi i “pallatit të kujtesës”, ku informacionet lidhen me vende që i njohim mirë. Për shembull, nëse duam të kujtojmë një listë pazari, mund ta përfytyrojmë produktin e parë në hyrje të shtëpisë, të dytin në korridor dhe të tjerët në hapësira të ndryshme. Kështu, duke përshkuar mendërisht këto vende, bëhet më e lehtë të rikujtojmë gjithçka.

Përdorni simbole, akronime dhe harta mendore për të mbajtur mend data e informacione

Kermode sugjeron edhe përdorimin e simboleve për të kujtuar data dhe numra. Një muaj mund të lidhet me një ngjyrë ose objekt të caktuar, ndërsa numrat mund të përfytyrohen përmes figurave. Për shembull, numri dy mund të imagjinohet si një mjellmë, ndërsa muaji tetor si një kungull. Kjo e bën më të lehtë kujtimin e datës 2 tetor, duke e përfytyruar si një mjellmë mbi një kungull.

Për ata që përgatiten për provime, ish-pedagogu i psikologjisë Michael Gruneberg rekomandon përdorimin e akronimeve, duke marrë shkronjat e para të disa pikave kryesore për të krijuar një fjalë ose fjali që ndihmon në rikujtimin e tyre. Ndërkohë, Kermode këshillon organizimin e materialeve përmes prezantimeve me slajde dhe hartave mendore, ku tema kryesore vendoset në qendër dhe lidhet me nëntemat përkatëse. Kartat mësimore janë gjithashtu të dobishme, por duhet të përdoren për përsëritje, pasi informacioni fillimisht duhet të mësohet dhe të fiksohet në kujtesë.

Përsëritni informacionet në intervale kohore

Një tjetër element i rëndësishëm është përsëritja e informacionit në intervale kohore. Sipas Kermode, nëse dëshironi të mbani mend diçka për një periudhë të gjatë, nuk mjafton ta lexoni vetëm një herë. Ajo rekomandon përsëritjen disa herë në ditët e para, më pas një herë në javë dhe gradualisht në intervale më të gjata, deri në një herë në muaj.

Mbani shënime dhe përdorni alarme për angazhimet e rëndësishme

Ekspertët këshillojnë gjithashtu mbajtjen e shënimeve dhe përdorimin e alarmeve për takime apo angazhime të rëndësishme. Michael Gruneberg shpjegon se kujtesa prospektive, pra aftësia për të kujtuar të bëjmë diçka në një moment të caktuar në të ardhmen, mund të bëhet më problematike me kalimin e moshës. Për këtë arsye, shënimi i detyrimeve dhe vendosja e alarmeve janë mënyra praktike për të shmangur harresën.

Flini të paktën shtatë orë në natë dhe bëni dremitje të shkurtra kur keni nevojë

Në fund, një nga faktorët më të rëndësishëm për funksionimin e mirë të trurit mbetet gjumi. Sahakian rekomandon të paktën shtatë orë gjumë çdo natë, pasi gjatë pushimit truri përpunon dhe konsolidon informacionet e mësuara gjatë ditës.

“Kur flemë gjatë natës, truri përforcon në kujtesë ato që kemi mësuar gjatë ditës. Prandaj është e rëndësishme të bëjmë gjumë të mirë dhe të mos qëndrojmë zgjuar gjithë natën duke mësuar për provime”, shpjegon ajo.

Edhe Kermode thekson se lodhja ndikon drejtpërdrejt në aftësinë për të kujtuar, ndërsa Alam këshillon edhe dremitjet e shkurtra gjatë ditës, pasi i japin trurit kohën e nevojshme për të përpunuar dhe organizuar informacionet.