Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër po tërheq interesin e vizitorëve të huaj, të cilët përmes dëshmive, dokumenteve dhe hapësirave autentike njihen me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.
Në godinën që dikur shërbeu si seli e Degës së Punëve të Brendshme, vizitorët zbulojnë historitë e të burgosurve politikë dhe përndjekjen gjatë diktaturës. Fotografitë, letrat, dorëshkrimet dhe objektet personale të ekspozuara sjellin dëshmi të jetës dhe vuajtjeve të tyre.
Pjesë e vizitës janë qelitë origjinale të paraburgimit dhe dhoma e torturave, ku të arrestuarit përballeshin me dhunën fizike dhe psikologjike gjatë hetuesisë. Dokumentet e ekspozuara pasqyrojnë gjyqet politike, përndjekjen e klerit, internimet dhe dënimet me pushkatim.
Për turistët e huaj, kjo përvojë është një mundësi për të kuptuar se si funksiononte regjimi komunist në Shqipëri dhe çfarë pasojash pati në jetën e njerëzve. Vetë vizitorët tregojnë se dëshmitë dhe ambientet e ruajtura i ndihmojnë të njohin më nga afër këtë periudhë të historisë së vendit.
I hapur si muze në vitin 2014, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” ruan kujtimin e viktimave të diktaturës dhe u përcjell vizitorëve vendas e të huaj historinë e përndjekjes politike në Shqipëri.
Klan News
/tvklan.al






