Pas 22 vitesh nga ndërhyrjet e fundit restauruese, Amfiteatri Antik i Durrësit i nënshtrohet punimeve të reja për konservimin dhe mbrojtjen e tij.
Prej disa ditësh, një ekip restauratorësh ka nisur ndërhyrjet në terren, duke u përqendruar fillimisht në galerinë hyrëse veriore të monumentit.
Punimet zhvillohen në kuadër të Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike, paralelisht me kërkimet e projektit italo-shqiptar “Durrësi Mesjetar Amfiteatri”.
Drejtuesi i punimeve, profesori dhe arkitekt-restauruesi Pirro Thomo, shpjegon se ndërhyrja ka nisur në një prej galerive hyrëse, ndërsa në vijim do të shqyrtohen edhe pjesë të tjera të monumentit që paraqesin nevojë për restaurim.
Përveç restaurimit, projekti parashikon edhe vijimin e gërmimeve arkeologjike, me synimin për të zbuluar gjurmë të reja të monumentit.
Në fokus janë pjesë të mundshme të fasadës, si dhe zbulimi i plotë i galerisë veriore, që mund të sjellë të dhëna të reja mbi strukturën dhe zhvillimin e amfiteatrit.
Investimi financohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ndërhyrjet synojnë jo vetëm ruajtjen dhe mbrojtjen e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe nxjerrjen në pah të vlerave të tij historike dhe arkeologjike.
/tvklan.al






