10 nëntor 2026 – Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza kanë zhvilluar sot një konferencë të përbashkët për analizimin dhe përshëndetjen e rezultateve operacionale të kryera gjatë vitit 2026.

Nga tryeza e përbashkët me pjesëmarrës dhe ministrin e Brendshëm Ervin Demo, kryepolici Hita tregoi me shifra rezultatin progresiv përgjatë vitit 2026 krahasuar me një vit më parë. Nga operacionet e përbashkëta, të mbështetura nga kontrollet ajrore me dronë, janë asgjësuar 132 mijë fidanë kanabisi gati për tu kultivuar.

89 persona (kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin) janë proceduar penalisht për moskallëzim krimi ndërsa 165 autorë janë arrestuar, shoqëruar në polici dhe vënë nën hetim, për përfshirje të kultivimin e narkotikëve.

“Po përmend vetëm një tregues domethënës të këtij angazhimi parandalues, gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë për t’u kultivuar në tokë, 132 000 fidanë kanabisi, krahasuar me 17 447 fidanë gjatë vitit të kaluar. Për sa i përket evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në tërësi, është punuar intensivisht, në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe në drejtimin e Prokurorisë, dhe si rezultat janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 autorë.

Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar penalisht 89 kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe punonjës të ngarkuar me shërbimin pyjor dhe mjedisin. Njëkohësisht, strukturat e Policisë së Shtetit intensifikuan kontrollet për të evidentuar dhe goditur edhe veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, nëpërmjet përdorimit të llambave, veprimtari e cila u godit në 17 raste”, tha ndër të tjera Hita.

Një vëmendje e shtuar i është dhënë fushatës së fluturimeve ajrore të mbështetura nga teknologjia e avancuar e partnerëve italianë. Falë bashkëpunimit është mundësuar kontrolli apo ekspozimi i zonave të thella malore që dikur konsideroheshin “të paprekshme” nga kultivuesit.

“Nëpërmjet 62 misioneve të fluturimit, pra 10 misione më shumë se gjatë vitit të kaluar, ky partneritet model bëri të mundur skanimin e një pjese të konsiderueshme të territorit.

Rritja e këtij efikasiteti krahasuar me vitin 2025, si dhe asistenca në 7 raste, me helikopterë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dëshmojnë kapacitetet aktuale për të kapërcyer vështirësitë e relievit dhe për të kontrolluar zona të thella malore, të cilat më parë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, konsideroheshin nga financuesit, organizatorët dhe kultivuesit e bimëve narkotike, si oaze ku mund të zhvillonin në fshehtësi veprimtarinë e tyre kriminale”, tha Hita.

Drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, Lorenzo Bucossi i konsideroi vitet e bashkëpunimit dhe rezultat e përfituara përgjatë këtyre të fundit si pozitive. Bucossi tha se intensifikimi i kontrolleve ajrore dhe përmirësimi i teknologjisë, ka ndryshuar e vështirësuar formën e veprimit të kriminelëve.

“Është një nga provat më të mira përgjatë viteve. Veprimtaria e policisë ishte pozitive kur kriminelët ndiheshin të detyruar për të ndryshuar mënyrën e veprimit. Të dhënat janë të dukshme. Kemi rezultate dhe vijojmë të mos regjistrojmë rritje të mariuanës nga Shqipëria. Vijojmë të mbështesin fushatën e mbikëqyrjes nga ajri. Do të vijojmë luftën kundër organizatave kriminale. Hapi tjetër do të jetë ai i luftës kundër pasurive të paligjshme të ardhura nga trafiku i drogës”, tha Bucossi.

Ndër të tjera, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se prioritet për vitin e ardhshëm mbeten parandalimi në kohë i përfshirjes së të miturve në veprimtari kriminale si dhe shitja e drogave nëpër shkolla.

“Lufta kundër kanabisit nuk përfundon me parandalimin e kultivimit apo asgjësimin e bimëve narkotike. Ajo duhet të vijojë deri në goditjen e zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes, me qëllim që lëndët narkotike të mos përfundojnë te të miturit, të rinjtë dhe nxënësit, duke rrezikuar shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Kjo barrierë kryesore mbrojtëse për shoqërinë tonë është ndërtuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, drejtuesit, stafet pedagogjike dhe prindërit, jo vetëm për të mos lejuar përfshirjen dhe penalizimin e një grupmoshe të caktuar, por mbi të gjitha për të parandaluar helmimin e së ardhmes së vendit dhe të pjesës më vitale të tij”, tha Hita.

/tvklan.al