Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Prishtina i ka kushtuar një ekspozitë të veçantë, të titulluar “Kosova e Kadaresë”. Përmes dorëshkrimeve, letrave, librave dhe dokumenteve të rralla, ekspozita sjell në vëmendje lidhjen e fortë të shkrimtarit me Kosovën dhe mbështetjen e tij për lirinë e saj.

I ftuar këtë të hënë, më 9 nëntor, në emisionin “Rudina”, shkrimtari dhe publicisti Ndue Ukaj tregoi mbresat nga vizita në ekspozitë, duke e cilësuar atë si një përjetim të veçantë.

“Ishte një përjetim poetik. Më dukej sikur e shihja Kadarenë në ato çaste të para kur filloi të krijojë për Kosovën, dhe i kushtonte asaj një prej poezive më të bukura dedikuar kësaj pjese të historisë sonë të përbashkët, kësaj toke që ai thoshte se ka përjetuar dramë dhe duhej të kthehej edhe një herë në gjirin e vet, të fitonte lirinë dhe të fitonte dinjitetin.”

Sipas Ukajt, mes materialeve të ekspozuara spikat dorëshkrimi i veprës “Ra ky mort e u pamë”, letërkëmbimi i Kadaresë me personalitete ndërkombëtare, korrespondenca me figura të njohura të Kosovës, ku shkrimtari përdori emrin dhe autoritetin e tij për t’i treguar botës atë që po ndodhte në Kosovë.

“Aty e shohim çfarë ndikimi kishte ai në jetën kulturore të vendit tonë përmes pasqyrimit të shtypit të shkruar, përmes dialogut që bënte me intelektualët nga Prishtina, përmes veprës së tij të rëndësishme kulturore. Kadare e shfrytëzon autoritetin e tij të shkrimtarit të madh, të shkrimtarit që jetonte në metropol, siç thoshte lideri ynë shpirtëror Ibrahim Rugova, dhe i fliste botës për dramën e Kosovës, dramë për të cilën ai kërkonte me ngulm që bota, Perëndimi, duhej të ndërgjegjësohej, që t’i dilte në ndihmë popullit të Kosovës.”

Ukaj kujtoi edhe paralajmërimet e Kadaresë pas çlirimit, kur shkrimtari kërkonte që Kosova të ruante lirinë dhe marrëdhëniet me Perëndimin.

“Ai që atëherë paralajmëronte se bota serbe do të punojë vazhdimisht për të ribindur edhe një herë Perëndimin se kishte gabuar që kishte ndërhyrë në Kosovë. Prandaj ai kërkonte nga shqiptarët që të mos hutoheshin, që të mirëmbanin lirinë e tyre dhe të punonin natyrshëm për integrime kombëtare, por para së gjithash evropiane.”

Duke folur për ndikimin e Kadaresë te lexuesit në Kosovë, Ukaj tha se veprat e tij kanë qenë një burim shprese për brezin që përjetoi vitet e vështira në ’90.

“Për brezin tim, unë i përkas atij brezi që kemi përjetuar ferrin e viteve ’90, Kadare ka shërbyer si një lloj Virgjili në ato rrathet e ferrit dantesk për të kuptuar se do të kalojmë në liri, do ta fitojmë lirinë e munguar.”

Ekspozita “Kosova e Kadaresë” është çelur më 6 nëntor në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 15 nëntor. Ajo është organizuar nga Shtëpia Studio Kadare, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe Bibliotekën Kombëtare.

/tvklan.al