28 tetor 2026 – Ënjtja e këmbëve është një shqetësim që shpesh lidhet fillimisht me pamjen e jashtme, por në disa raste mund të sinjalizojë probleme më serioze shëndetësore. Mes shkaqeve të mundshme janë edhe sëmundjet e zemrës, të cilat mund të shfaqen përmes edemave, edhe kur pacienti nuk ka shqetësime të dukshme gjatë aktiviteteve të përditshme.
Kardiologia Almenda Zaka, e ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, Tv Klan theksoi se ënjtja e këmbëve nuk duhet neglizhuar dhe se vlerësimi nga kardiologu është i rëndësishëm për të identifikuar shkakun.
“Normalisht, ënjtja e këmbëve nuk duhet të merret vetëm si një problem estetik për pacientin, sepse shumica e pacientëve që ne shohim e kanë problem estetik fillimisht. Ënjtja e këmbëve mund të jetë shenja e parë e të gjitha sëmundjeve që ne përmendëm deri tani, por edhe e sëmundjeve të zemrës.
Tek kardiologu pacienti duhet të trajtohet dhe duhet të diagnostikohet, sepse shfaqja e ënjtjes së këmbëve mund të jetë shumë më e rëndësishme sesa thjesht pamja e jashtme. Shenja e parë dhe e heshtur e shfaqjes me edema të këmbëve është pamjaftueshmëria kardiake, e cila normalisht fillimisht mund të jetë me një funksion normal pompë të zemrës. Pra, pacientin e lejon të bëjë aktivitetet e përditshme pa probleme, ama nëse pacienti sforcohet pak më tepër, ka probleme. Nëse pacienti tenton, për shembull, që të rritë pak shpejtësinë gjatë ngjitjes së shkallëve, ka probleme. Këto janë ato fillesat e heshtura të sëmundjeve të zemrës.”
Por cilat ekzaminime ndihmojnë në zbulimin e problemeve të zemrës? Mjekja thekson se vlerësimi i hershëm është i rëndësishëm për të identifikuar problemet e mundshme kardiake. EKG-është ndër ekzaminimet që mund të ndihmojë në vlerësimin e gjendjes së zemrës, funksionit të muskulit kardiak dhe valvulave.
“Mjafton një konsultë e thjeshtë tek kardiologu, duke filluar që me një EKG për të parë nëse kemi kaluar ndonjë iskemi të heshtur të zemrës apo jo. Mjafton një eko e thjeshtë për të parë situatën e muskulit të zemrës, për të parë situatën e valvulave, për të parë nëse kemi ndonjë problem të perikardit ose të cipës që rrethon zemrën, për të përjashtuar probleme kardiake.”
Zaka shpjegoi se ënjtja e këmbëve mund të lidhet edhe me sëmundje që prekin anën e djathtë të zemrës. Sipas saj, disa prej këtyre problemeve mund të mos japin shenja të tjera në fazat fillestare, ndërsa diagnostikimi i vonuar mund ta vështirësojë trajtimin.
“Gjithashtu mund të kemi edhe sëmundje të tjera, të cilat janë sëmundje të anës së djathtë të zemrës, të cilat mund të shfaqen vetëm me këtë shenjë, vetëm me ënjtje të këmbëve, por kur avancojnë kanë problematika që ndonjëherë nuk marrin edhe zgjidhje dot, sepse në stadet e avancuara janë të vështira për t’u trajtuar. Siç janë, për shembull, hipertensioni pulmonar, i cili është një sfidë për trajtim në ditët e sotme.
Gjithashtu duhet të përjashtojmë edhe probleme valvulare të zemrës. Ndonjëherë kalçifikimet e heshtura të valvulave, pamjaftueshmëria e valvulave, pra pamundësia e mbylljes së valvulave dhe kthimi i gjakut mbrapsht, mund të shfaqet edhe kjo me një ënjtje të këmbëve.”
Një tjetër element i rëndësishëm është mënyra se si shfaqet ënjtja. Sipas kardiologes, kur ajo lidhet me zemrën, zakonisht prek të dyja këmbët dhe vihet re fillimisht në zonën e kyçeve ose në pjesën e sipërme të këmbëve. Në raste më të avancuara, ënjtja mund të përhapet edhe më lart.
“Në përgjithësi, ënjtja e këmbëve, kur vjen me origjinë nga zemra, është një ënjtje e këmbëve bilaterale, pra e të dyja anëve të këmbëve. Kryesisht shfaqet në kyçet e këmbëve ose në pjesën e kurizit të këmbëve dhe normalisht pastaj në stadi më të avancuara patjetër që ngjitet edhe më lart si anatomi, deri në nivelin e gjurit.”
/tvklan.al
