Numri i shqiptarëve që kërkojnë për herë të parë azil në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen ka shënuar një rënie të fortë gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2025 u regjistruan 3,710 aplikime, nga 6,980 në vitin 2023, ose rreth 47% më pak.

Të dhënat e konsultuara nga ekofin.al tregojnë se rënia ka vijuar për të dytin vit radhazi. Në vitin 2024 ishin regjistruar 5,520 kërkesa të para për azil nga shtetasit shqiptarë, ndërsa gjatë vitit 2025 numri i tyre u ul me 1,810, ose 32.7%. Një vit më parë, rënia kishte qenë 20.9%.

Kjo tendencë tregon një tkurrje të ndjeshme të azilkërkimit nga shqiptarët, megjithëse lëvizjet drejt vendeve europiane vazhdojnë përmes rrugëve të tjera të migracionit.

Franca dhe Gjermania me rënien më të fortë

Ndryshimet më të mëdha janë regjistruar në disa prej vendeve që tradicionalisht kanë qenë ndër destinacionet kryesore të azilkërkuesve shqiptarë.

Franca, e cila në vitin 2023 regjistronte 2,650 kërkesa për azil nga shqiptarët, në vitin 2025 numëroi vetëm 885. Kjo përfaqëson një rënie prej 66.6% brenda dy viteve.

Edhe në Gjermani rënia është e konsiderueshme. Nga 1,580 aplikime në vitin 2023, numri zbriti në 370 gjatë vitit 2025, ose 76.6% më pak. Kjo është rënia më e thellë ndër destinacionet kryesore të analizuara në raport.

Në të kundërt, Italia ka shfaqur një ecuri më të qëndrueshme. Gjatë vitit 2025 u regjistruan 1,390 kërkesa të para për azil nga shqiptarët. Pavarësisht uljes pas rritjes së përkohshme të vitit 2024, Italia mbetet vendi me numrin më të madh të aplikimeve nga shtetasit shqiptarë.

Greqia dhe Irlanda, në drejtim të kundërt me tendencën

Ndryshe nga Franca dhe Gjermania, disa vende europiane kanë regjistruar rritje të kërkesave për azil nga shqiptarët.

Në Greqi, aplikimet u rritën nga 535 në vitin 2023 në 600 gjatë vitit 2025, ose 12.1% më shumë. Edhe Irlanda shënoi rritje nga 165 në 190 kërkesa, ndërsa Belgjika dhe Holanda regjistruan ulje përkatësisht me 38% dhe 66.7%.

Këto zhvillime tregojnë se, krahas rënies së përgjithshme të azilkërkimit, po ndryshon edhe shpërndarja e aplikimeve mes vendeve europiane.

Më pak kërkesa për azil, por emigracioni vijon përmes rrugëve të ligjshme

Ulja e kërkesave për azil nuk nënkupton se shqiptarët kanë ndalur emigrimin. Përkundrazi, të dhënat e tjera të raportit tregojnë se lëvizja drejt vendeve europiane vijon të mbetet e konsiderueshme, por një pjesë e rëndësishme realizohet përmes lejeve të rregullta të qëndrimit.

Gjatë periudhës 2023–2024, shtetasit shqiptarë përfituan rreth 154 mijë leje të para qëndrimi në vendet e BE-së. Nga këto, 47.6% u dhanë për bashkim familjar dhe 29.1% për motive punësimi.

Ministria e Punëve të Brendshme e lidh uljen e azilkërkimit të pabazuar me masat parandaluese, fushatat informuese dhe ndërgjegjësimin për pasojat e migracionit të parregullt. Megjithatë, raporti nuk mat veçmas ndikimin e këtyre masave në rënien e aplikimeve.

Në këtë kontekst, të dhënat tregojnë një ndryshim të profilit të emigracionit shqiptar, ku kërkesat për azil po tkurren ndjeshëm, ndërsa bashkimi familjar dhe punësimi mbeten ndër rrugët kryesore të vendosjes në vendet e Bashkimit Evropian. /ekofin

/tvklan.al