Nga viti 2027, diagnostikimi falas i kancerit përmes PET-scan do të ofrohet për herë të parë në spitalet publike.

Në projektbuxhetin e ri për Shëndetësinë parashikohet një fond prej 250 milionë lekësh për këtë pajisje, ndërsa kontrolli bazë Check-Up do të kalojë tërësisht nën administrimin e shtetit, pa limit moshe.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, prezantoi edhe zgjerimin e skemës së rimbursimit të barnave dhe vaksinimit.

“Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kemi të parashikuar për 2027-ën edhe pajisjet e brakiterapisë. Duam të kalojmë nga një sistem që fokusohet te financimi i strukturave, drejt një sistemi që vlerëson cilësinë, eficiencën dhe rezultatet për pacientin”, tha Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu.

Përveç shtimit të 26 terapive të reja mjekësore dhe dyfishimit të pagës për mjeket roje në urgjencë, buxheti i ri përballet me kritika të forta nga opozita.

Deputetët e opozitës ngritën shqetësime mbi faturat e larta të kontratave koncesionare në hetim, mungesën e personelit mjekësor në rrethe si dhe vonesat në investimet spitalore.

“Një ndër problemet më të mëdha në sektorin e shëndetësisë është numri shumë i lartë i kontratave koncesionare, ku 40% e tyre ndodhen sot në hetim nga Prokuroria e Posaçme. Çfarë vlere kanë pasur PPP-të e miratuara nga Qeveria? A do të ishte më mirë t’i ofronte shërbimi publik apo do t’i qëndroni tezës së koncesionimit?”, tha deputeti i PD, Enno Bozdo

“Sa barna jashtë BE kemi në tregun shqiptar, rekomandimi i KLSH për nevojën e gjurmimit “track and trase” dhe në ç’pikë jemi, çfarë progresi është bërë dhe a kemi mungesë ligjore e ç’fazë jemi? Urgjenca e Durrësit, projekti për ristrukturim, pse nuk u bë në 2026, strukturë që ka kaluar 25 vite dhe lë për të dëshiruar në shumë reparte, keni menduar për zgjerim kapacitetesh pasi në verë ka dhe shtesë banorësh, autoambulancat, jeni dakord të vijohet me të njejtën mënyrë ku duhen të marrin një numër në e-Albania që krijon vonesa?”, tha deputeti i PD, Igli Cara.

Plani 2027-2029 synon edhe digjitalizimin e plotë të recetave e referimeve, por sfida kryesore mbetet mbulimi i nevojave reale me mjekë specialistë jashtë kryeqytetit.

/tvklan.al