09 nëntor 2026- Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka nisur ofrimin e trajtimit përmes stimulimit të nervit vagus (VNS) për pacientët me epilepsi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike.

Ky shërbim është realizuar te tetë pacientë nga Klinika e Neurologjisë, në bashkëpunim me Klinikën e Neurokirurgjisë.

Ekipi i Klinikës së Neurologjisë ka kryer vlerësimin klinik dhe përzgjedhjen e pacientëve që plotësojnë kriteret për këtë trajtim, ndërsa ndërhyrjet kirurgjikale janë realizuar nga specialistët e Klinikës së Neurokirurgjisë.

Pas implantimit të pajisjeve, pacientët do të vijojnë trajtimin përmes aktivizimit dhe programimit individual të tyre, përshtatjes graduale të parametrave dhe kontrolleve të rregullta nga neurologët.

Sipas QKUK-së, ofrimi i këtij shërbimi dëshmon bashkëpunimin mes klinikave dhe angazhimin e profesionistëve shëndetësorë për zhvillimin e metodave bashkëkohore të trajtimit.

Njoftimi i QKUK-së:

QKUK realizon implantimin e stimuluesit të nervit vagus (VNS) te tetë pacientë me epilepsi rezistente ndaj barnave

Klinika e Neurologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në bashkëpunim me Klinikën e Neurokirurgjisë, ka realizuar me sukses implantimin e stimuluesit të nervit vagus (VNS) te tetë pacientë të diagnostikuar me epilepsi rezistente ndaj barnave.

Ky trajtim paraqet një avancim të rëndësishëm në zgjerimin e mundësive terapeutike në QKUK, veçanërisht për pacientët tek të cilët krizat epileptike vazhdojnë pavarësisht trajtimit medikamentoz.

Stimulimi i nervit vagus (VNS) është një metodë plotësuese e trajtimit, e cila synon të zvogëlojë shpeshtësinë dhe intensitetin e krizave epileptike, si dhe të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

Në këtë proces, ekipi profesional i Klinikës së Neurologjisë ka realizuar vlerësimin klinik dhe përzgjedhjen e pacientëve që plotësojnë kriteret për këtë trajtim, ndërsa implantimi i pajisjeve është kryer në bashkëpunim me ekipin e Klinikës së Neurokirurgjisë, si dhe Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, e cila ka dhënë kontribut të rëndësishëm profesional në menaxhimin e anestezionit dhe sigurinë e pacientëve gjatë intervenimit.

Pas implantimit, trajtimi do të vazhdojë me aktivizimin dhe programimin individual të pajisjeve, përshtatjen graduale të parametrave dhe përcjelljen e rregullt neurologjike të pacientëve.

Realizimi i këtij shërbimi dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet klinikave dhe përkushtimin e profesionistëve shëndetësorë për avancimin e vazhdueshëm të shërbimeve diagnostikuese dhe terapeutike në institucionet publike shëndetësore.

QKUK do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e shërbimeve të tilla, me synim që trajtimet bashkëkohore të jenë të qasshme dhe të qëndrueshme për pacientët që kanë nevojë për to.

/tvklan.al