Gjumi nuk është thjesht një mënyrë për të pushuar, por një proces thelbësor për funksionimin e trurit, kujtesën dhe mirëqenien. Mjekja psikiatre Irena Thoma, e ftuar këtë të martë, më 10 nëntor në emisionin “Shije Shtëpie”, pohoi se përdorimi i qetësuesve për të luftuar pagjumësinë mund të kthehet në një problem më vete duke paralajmëruar mbi rrezikun e përdorimit të pakontrolluar të tyre, të cilat krijojnë varësi dhe tolerancë.

“Barnat që shkaktojnë pagjumësi, janë vetë ato që merren për pagjumësinë. Benzodiazepinat mund të japin qetësi për një periudhë të shkurtër kohe, por me kalimin e kohës fitohet toleranca ose momenti kur ato nuk arrijnë të veprojnë më dhe individi detyrohet që të shtojë dozën për të përfituar të njëjtin efekt. Duke shtuar dozën, në mënyrë graduale kalon në ato që ne i themi me me me efekte toksike dhe të varësisë dhe të toksicitetit të organizmit.

Prandaj është shumë e rrezikshme dhe është shumë e rëndësishme që të dihet nga publiku që barnat benzodiazepinat duhet të merren vetëm me rekomandim mjeku dhe vetëm në një kohë tejet të kufizuar. Shohim një lloj abuzimi, të gjitha këto medikamente mund të krijojnë një lloj qetësie emocionale në netët e para, por ndërkohë jemi futur në një rreth vicioz nga i cili dilet me shumë vështirësi.”

Ajo sqaroi gjithashtu se gjumi i tepërt, ashtu si pagjumësia, mund të jetë shenjë e një çrregullimi, nëse përsëritet vazhdimisht dhe ndikon në jetën e përditshme. Sipas mjekes, të rriturit kanë nevojë për 7 deri në 9 orë gjumë, ndërsa cilësia e tij është thelbësore për kujtesën, përqendrimin dhe gjendjen emocionale.

“Është shumë i rëndësishëm gjumi dhe nuk duhet parë si thjesht si një pushim, por është një çështje thelbësore, një nevojë e rëndësishme thelbësore biologjike e organizmit për të pasur një performancë të mirë në ditën e nesërme, për të mundësuar një mirëfunksionim të sistemit nervor, një mirëfunksionim të gjendjes emocionale, për të pasur një kujtesë më të mirë, për të mos pasur deficite të funksionit kognitiv i themi ne.”

Po ashtu mjekja Thoma këshilloi krijimin e një rutine të rregullt gjumi, shmangjen e ekraneve në shtrat dhe kufizimin e aktivitetit fizik në orët e pasdites ose të mbrëmjes.

“Higjiena e gjumit do të thotë një ambient i freskët, i pastër, pa dritë, pa zhurmë ku aty ku flen. Në momentin që shtrihen nuk duhet të kenë absolutisht ngacmimet e ekraneve televizive apo të ekraneve të telefonave përpara, apo një aktivitet i shtuar përgjatë mbasdites.”

Ajo renditi dhe alkoolin si një prej shkaktarëve të prishjes së gjumit cilësor të natës edhe pse në fillim mund të shkaktojë përgjumje.

/tvklan.al