Në malësitë e Përmetit, familja Jashari ka ndërtuar një sipërmarrje që ndërthur 15 hektarë vreshta, teknologjinë moderne të përpunimit dhe krijimin e markave shqiptare të pijeve. Pas më shumë se 60 vitesh larg vendlindjes, z. Habib Jashari u rikthye në Gosnisht për të investuar në tokën ku u rrit. Sot, Distileria Gosnisht synon të çojë produktet e saj në tregjet evropiane dhe më gjerë.
Në një prej zonave malore të Përmetit, aty ku natyra dhe tradita krijojnë një peizazh të veçantë, po zhvillohet një histori sipërmarrjeje që synon të kapërcejë kufijtë e Shqipërisë. Në fshatin Gosnisht, rreth 9 kilometra larg Përmetit dhe 1 000 metra mbi nivelin e detit, familja Jashari ka ngritur një aktivitet që bashkon vreshtarinë, teknologjinë moderne dhe prodhimin e pijeve alkoolike.
Ajo që sot përfaqëson një investim të rëndësishëm bujqësor dhe industrial, 12 vite më parë nisi në një realitet krejt tjetër. Gosnishti ishte një fshat me pak banorë, toka të lëna djerrë dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Në këtë situatë, Habib Jashari, pas një karriere të gjatë profesionale në Tiranë, vendosi të rikthehej në vendlindje dhe të investonte në tokën ku kishte kaluar fëmijërinë.
I larguar nga Gosnishti në moshën gjashtëvjeçare, ai u kthye pas më shumë se gjashtë dekadash, fillimisht për një qëndrim të shkurtër pushimi. Por vizita 10–15-ditore u shndërrua në një projekt që vazhdon prej vitesh.
Jashari tregon se gjeti një fshat të braktisur, të mbuluar nga ferrat dhe me banorë që shihnin largimin drejt Tiranës si alternativën e vetme. Kjo pamje e shtyu të investonte në rikthimin e aktivitetit ekonomik në zonë dhe t’i jepte Gosnishtit një identitet të ri përmes prodhimit vendas.
Sipërmarrja është kthyer në një biznes familjar, ku janë përfshirë edhe fëmijët e tij. Habib Jashari shprehet se e sheh me kënaqësi vazhdimësinë e aktivitetit nga brezi i ri, veçanërisht përkushtimin e të birit, i cili studion zhvillimet shkencore dhe teknologjitë e reja në fushën e prodhimit të pijeve alkoolike.
15 hektarë vreshta dhe varietete të përzgjedhura për cilësi
Një nga investimet kryesore të familjes Jashari është ngritja e 15 hektarëve me vreshta, ku kultivohen varietete të ndryshme rrushi, përfshirë Chardonnay, Pinot Noir, Merlot, Debinë dhe Müller-Thurgau.
Përzgjedhja e varieteteve është bërë në bazë të studimit të tokës, relievit dhe kushteve klimatike të zonës, me kontributin e specialistit të vreshtarisë, profesor Petraq Sotiri. Pozicioni gjeografik, në lartësinë rreth 1 000 metra mbi nivelin e detit, dhe diferencat mes temperaturave të ditës dhe natës ndikojnë në zhvillimin dhe cilësinë e rrushit.
Familja synon të kufizojë sa më shumë përdorimin e preparateve për mbrojtjen e bimëve, duke i dhënë përparësi cilësisë së rrushit. Aktualisht, rendimenti arrin deri në rreth 150 kuintalë për hektar.
Nga fermentimi te distilimi: Teknologji gjermane dhe italiane
Përtej vreshtave, një tjetër hallkë e rëndësishme e investimit është infrastruktura industriale. Distileria Gosnisht është pajisur me makineri dhe teknologji të importuara kryesisht nga Gjermania dhe Italia, të cilat mundësojnë kontrollin e proceseve të fermentimit, distilimit, filtrimit dhe stabilizimit.
Sipas investitorit, vlera e përgjithshme e investimit në distileri arrin mbi 10 milionë euro. Vetëm një nga pajisjet kryesore të linjës së përpunimit ka kushtuar rreth 100 mijë euro.
Në repartin e fermentimit, rrushi i vjelë kalon fillimisht në makineri, ku ndahen frenjat, dhe më pas vendoset në depozita për fermentim. Proceset zhvillohen në kushte të kontrolluara, me temperaturë të monitoruar dhe kujdes të vazhdueshëm për ruajtjen e cilësisë.
Infrastruktura përfshin rreth 42 depozita, ndërsa kapaciteti i parashikuar për prodhimin e xhinit arrin rreth 40 mijë litra. Distileria disponon gjithashtu pajisje të posaçme për përpunimin e alkoolit, pastrimin, filtrimin dhe stabilizimin e produkteve përpara ambalazhimit.
Një nga proceset e rëndësishme është trajtimi në temperatura të ulëta, që ndihmon në largimin e vajrave dhe papastërtive përpara se produkti të kalojë në filtrimin përfundimtar dhe të jetë gati për shishe.
12 vite maturim: Ambicia për një produkt që konkurron me pijet më të mira franceze
Një prej projekteve më ambicioze të familjes Jashari është prodhimi i një distilati të veçantë, i cili ka qëndruar për 12 vite në vozat e lisit të blera në Bordo të Francës.
Habib Jashari thekson se synimi nuk është përdorimi i emërtimit “konjak”, por krijimi i një pijeje që të jetë në gjendje të konkurrojë me produktet më të mira franceze. Projekti është ende në proces maturimi dhe vlerësimi nga specialistët.
Edhe rakia e familjes Jashari po i nënshtrohet një procesi të gjatë maturimi dhe stabilizimi. Sipas investitorit, një pjesë e saj është ruajtur për 11–12 vite përpara se të jetë gati për t’u hedhur në treg.
Drin Gin, AOS Vodka dhe Syth: Markat që mbajnë identitetin e Gosnishtit
Ndërsa rakia dhe distilati i vjetër vijojnë proceset e maturimit, produktet me të cilat distileria ka nisur prezantimin në treg janë xhini dhe vodka.
Drin Gin dhe AOS Vodka përfaqësojnë dy prej markave kryesore të krijuara nga familja Jashari. Emrat janë frymëzuar nga dy lumenjtë që lidhen me identitetin gjeografik shqiptar, ndërsa përbërësit e xhinit përfshijnë edhe bimë karakteristike të zonës, si dëllinja dhe hala e bredhit.
Një tjetër produkt është vera e kuqe “Syth”, e prodhuar nga varietetet Pinot Noir dhe Merlot. Emri simbolizon lindjen e diçkaje të re dhe synon të shënojë një kapitull të ri për prodhimin e verës në Gosnisht.
Portofoli përfshin gjithashtu likerin “Kaçka”, i përgatitur me arra të reja të mbledhura në muajin maj, të vendosura në distilat dhe të kombinuara me mjaltë. Një tjetër produkt është likeri “Flladi i Lumturisë”, i frymëzuar nga sherebela e mbledhur në malet e Përmetit. Emri i tij është një dedikim për nënën dhe bashkëshorten e investitorit, të cilat mbajnë emrin Lumturi.
Në zhvillim janë edhe produkte të tjera, përfshirë një pije të quajtur “Kulçumare”, e krijuar në fazën e provave me bazë përbërësit natyrorë të zonës. Ndër markat që familja synon të zhvillojë është edhe “Lis i Art”, një produkt që do të jetë pjesë e portofolit të distilerisë.
Mbështetje nga AZHBR dhe IPARD, pjesë e zhvillimit të investimit
Në rrugëtimin e tij, Habib Jashari vlerëson edhe mbështetjen e përfituar përmes programeve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Ai bën të ditur se ka aplikuar disa herë dhe ka përfituar mbështetje përmes programeve IPARD I dhe IPARD II. Fondet janë përdorur për ngritjen e vreshtave, blerjen e fidanëve, sistemin e ujitjes dhe pajisjet mekanike që lehtësojnë proceset e punës.
Sipas tij, përgatitja e saktë e dokumentacionit dhe përmbushja e kritereve të aplikimit janë elemente të rëndësishme për përfitimin nga këto skema.
Nga Gosnishti drejt Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Për familjen Jashari, prodhimi është vetëm një pjesë e sfidës. Një tjetër objektiv është krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm shpërndarjeje dhe hyrja në tregje të reja.
Për këtë arsye, familja ka lidhur një marrëveshje ekskluziviteti për shpërndarjen dhe shitjen e produkteve me kompaninë Alkora Distribution. Bashkëpunimi synon të lehtësojë depërtimin në treg dhe t’i japë sipërmarrjes mundësinë të përqendrohet te prodhimi dhe cilësia.
Ndërkohë, sipas Habib Jasharit, janë në proces negociatat për të lidhur kontrata në Zvicër për xhinin dhe vodkën, ndërsa për likerin “Kaçka” synimi është tregu amerikan.
Një tjetër objektiv është plotësimi i certifikimeve të nevojshme për të përmbushur kërkesat e tregjeve evropiane. Për investitorin, certifikimi dhe dokumentimi i cilësisë janë kushte thelbësore për të fituar besimin e konsumatorëve dhe për të konkurruar ndërkombëtarisht.
/tvklan.al
