Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA kanë bllokuar përpjekjen e demokratëve për të nisur procedurën e shkarkimit të sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Mocioni për t’i kaluar tetë akuzat ndaj tij Komisionit të Drejtësisë u rrëzua me 211 vota kundër dhe 204 pro. Vetëm një republikan, Thomas Massie, votoi në krah të demokratëve, ndërsa 11 deputetë demokratë munguan në votim.
Ky vendim i jep Hegseth një fitore të përkohshme politike, por çështja mund të rikthehet në janar, kur demokratët pritet të marrin shumicën.
Presidenti amerikan Donald Trump e përshëndeti menjëherë rezultatin, duke sulmuar demokratët dhe Thomas Massie-n, i cili ishte edhe autori i nismës për shkarkimin e Hegseth.
“Përpjekja e demokratëve për të vënë nën akuzë Pete Hegseth dështoi në mënyrë të mjerueshme. Të gjithë republikanët, me përjashtim të Thomas Massie-t, një humbës i vërtetë, votuan në mbështetje të Pete”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu operacionet në Venezuelë dhe Iran, shifrat e larta të rekrutimit në ushtrinë amerikane dhe moralin e trupave. Sipas tij, këto janë dëshmi të punës së mirë të Hegseth, të cilin e cilësoi si një patriot amerikan. Trump akuzoi demokratët se po përdorin politikisht institucionet amerikane dhe bëri thirrje që kjo të ndalet.
Vetë Hegseth i kishte cilësuar më herët akuzat si një “farsë politike”, duke deklaruar se përpjekja për shkarkimin e tij nuk është patriotizëm, por sabotim. Ai mohon çdo shkelje dhe këmbëngul se operacionet ushtarake amerikane janë zhvilluar në përputhje me ligjin.
Në qendër të akuzave të ngritura nga kongresmeni Thomas Massie është vendimi i Hegseth për të zhvilluar operacione ushtarake kundër Iranit pa marrë më parë miratimin e Kongresit. Tetë pikat e akuzës përfshijnë edhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe, operacionet në Jemen, kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe presionet ndaj senatorit demokrat Mark Kelly.
Massie argumenton se sekretari i Mbrojtjes ka shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për Kompetencat e Luftës, i cili parashikon që operacionet ushtarake duhet të ndërpriten brenda 60 ditëve nëse nuk marrin miratimin e Kongresit.
Nga ana tjetër, Hegseth i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si mospajtime politike dhe jo si shkelje ligjore. Ai mbrojti vendimin për sulmet ndaj Iranit, duke thënë se presidenti Trump veproi për sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe jo për interesa politike. “Jam krenar për çdo operacion dhe do ta përsërisja edhe nesër”, deklaroi ai.
Megjithatë, lufta me Iranin, kostot e saj dhe ndikimi në çmimet e energjisë janë kthyer në një problem politik për republikanët dhe renditen ndër faktorët që kanë ndikuar në humbjen e tyre në zgjedhjet e fundit të mesmandatit.
Problemet për Pentagonin nuk përfundojnë me akuzat politike. Një raport i Zyrës së Përgjegjshmërisë Qeveritare (GAO), organ që mbikëqyr punën e institucioneve federale, ka zbuluar mangësi në regjistrimin e rreth 17 mijë pjesëve të avionëve luftarakë F-35, të cilat ndodhen në mirëmbajtje ose riparim.
Vlera e këtyre pjesëve arrin të paktën 1.3 miliardë dollarë, por mund të shkojë deri në 2.5 miliardë dollarë. Raporti nuk flet për vjedhje apo përvetësim parash, por për probleme serioze në administrimin e inventarit dhe në sistemin e llogaritjes së pajisjeve, të cilat kanë vazhduar prej vitesh.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Trump vazhdon të mbështesë plotësisht Hegseth, të cilit i ka dhënë vlerësimin maksimal për punën e tij. Në të njëjtën linjë është edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i cili e cilësoi përpjekjen për shkarkimin e sekretarit si një “spektakël qesharak”.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti Hegseth, duke thënë se ai ka zbatuar urdhrat e presidentit. Megjithatë, Rubio theksoi se SHBA-të nuk kanë nevojë për operacione të mëdha ushtarake kundër Iranit, pasi sipas tij presioni ekonomik ndaj Teheranit po jep rezultate.
Ndërkohë, humbja në zgjedhjet e mesmandatit ka sjellë edhe ndryshime në drejtimin e republikanëve në Kongres. Jim Jordan është zgjedhur drejtues i grupit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, duke marrë 106 vota, kundrejt 73 votave të Steve Scalise. Ai do të zëvendësojë Mike Johnson dhe ka premtuar një përballje të fortë me demokratët.
Në Senat, John Thune është rizgjedhur në krye të grupit republikan, pavarësisht tensioneve dhe kërkesave për shtyrjen e votimit. Ndërkohë, senatori Josh Hawley kërkon ndryshimin e kursit politik pas humbjes së të paktën shtatë vendeve, ndërsa Rick Scott kërkon miratimin sa më të shpejtë të fondeve për luftën dhe nismave të tjera, përpara se republikanët të humbasin shumicën në janar.
/tvklan.al











