Nëntë efektivë policie, mes tyre tetë punonjës në detyrë dhe një ish-polic, janë arrestuar në Serbi nën dyshimin për ushtrim dhune dhe torturim të studentëve gjatë protestave antiqeveritare të vitit të kaluar në Beograd.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Brendshme serbe, e cila bëri të ditur se arrestimet u kryen të mërkurën. Të dyshuarit akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke përdorur forcën ndaj disa personave gjatë ndërhyrjeve policore në gusht të vitit 2025.

Sipas njoftimit të autoriteteve, efektivët dyshohet se kanë përdorur forcë fizike dhe kërcënime për t’u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të rënda disa personave të plagosur. Ngjarjet kanë ndodhur ndërsa policët ishin në shërbim, gjatë periudhës së protestave që përfshinë kryeqytetin serb.

Ministria e Brendshme thekson se veprimet e të arrestuarve dyshohet se kishin si qëllim marrjen e informacioneve, frikësimin dhe ndëshkimin e paligjshëm të personave ndaj të cilëve ishte ushtruar dhunë. Për nëntë të dyshuarit rëndojnë akuzat për abuzim dhe torturë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej tyre.

Arrestimet vijnë në një kohë kur Serbia u përball me protesta të gjera antiqeveritare gjatë vitit 2025, të udhëhequra kryesisht nga studentët. Demonstratat u shoqëruan me akuza ndaj institucioneve për korrupsion dhe kërkesa për përgjegjësi politike e institucionale.

Dyshimet për dhunë policore ndaj protestuesve kanë rikthyer në vëmendje mënyrën sesi autoritetet serbe menaxhuan protestat dhe trajtimin e pjesëmarrësve në to.

/tvklan.al