Sali Berisha publikoi të tjera pamje filmike, që sipas tij provojnë manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit përmes “Trenit Bullgar” në qarkun e Elbasanit.

“Del jashtë qendrës, jep fletën e votimit. E nxjerr fletën e votimit, ia jep kryetarit, më pas e hedh përsëri në kutinë e votimit. Këta bëjnë ç’të duan me fletën e votimit.“

Si shpërblim për angazhimin në fushatë elektorale, Berisha tha se Kryeministri ka shpërblyer grupet kriminale në Durrës duke u dhënë atyre stadiumin “Niko Dovana” me qëllim ngritjen e disa kullave.

“Ky është vendimi i Edi Ramës. Aksionet e stadiumit Niko Dovana i kanë kaluar kartelit Troplini. Rrotull stadiumit janë planifikuar një seri ndërtesash, ndër të cilat kulla me lartësi 125 metra.”

Krahas denoncimeve për atë që e cilëson “masakër elektorale”, Berisha premton edhe bërjen e një analize si dhe riorganizimin e partisë pas humbjes në zgjedhje.

“PD është parti e hapur, transparente dhe e gatshme të analizojë të gjithë veprimtarinë e saj në dritën e së vërtetës.“

Edhe në këtë dalje nga selia blu, Berisha akuzoi Presidentin Bajram Begaj se është marrë peng nga Kryeministri Rama me atë që ai e cilëson “aferë me pronat e ushtrisë”.

Tv Klan

/tvklan.al