Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Evropian ka diskutuar situatën aktuale politike në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për tensionet e fundit, protestat dhe akuzat për korrupsion e abuzim me pushtetin.
Kryetari i këtij komisioni, David McAllister, vlerësoi përparimin e shpejtë të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian gjatë viteve të fundit, por theksoi se muajt e fundit kanë sjellë një tablo më shqetësuese. Ai përmendi protestat e qytetarëve për zhvillimet në bregdet, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, si dhe demonstratat kundër korrupsionit, krizës së kostos së jetesës dhe përdorimit të forcës nga policia.
McAllister nënvizoi se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë mënyrat sesi mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe të sigurojë vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë.
Nga ana e tij, zëvendësdrejtori në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Emmanuel Joffre, bëri të ditur se ambasadorja e BE-së në Tiranë po zhvillon kontakte me qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile për të nxitur dialogun politik. Ai theksoi se liria e tubimit duhet të garantohet, ndërsa dhuna nuk ka vend në protesta dhe përdorimi i forcës nga organet ligjzbatuese duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjin.
Edhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, u shpreh kundër çdo forme dhune, duke përfshirë si aktet e vandalizmit, ashtu edhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, u ndal te zgjedhjet e vitit 2025, duke vlerësuar mbështetjen për orientimin proevropian të vendit. Ai përmendi edhe mbrojtjen e Deltës së Vjosës, duke theksuar ndikimin e presionit të Bashkimit Evropian në këtë proces, ndërsa kërkoi që Kapitulli 27 për mjedisin të mbyllet, vetëm pasi të jenë përmbushur të gjitha kushtet.
Thirrje për dialog mes palëve politike ka bërë edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në një kohë kur Brukseli kërkon uljen e tensioneve dhe vijimin e reformave në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
/tvklan.al






