Kombëtarja Shqiptare ka vijuar përgatitjet duke zhvilluar seancën e radhës stërvitore nën urdhrat e trajnerit Rolando Maran. Me grupin janë bashkuar edhe Myrto Uzuni dhe Qazim Laçi, dy lojtarët që munguan ditën e hënë.

Ndërkohë Etrit Berisha i cili punoi në palestër, këtë seancë ai ishte me pjesën tjetër të skuadrës, duke marrë ngarkesë të plotë. Ndryshe është situata për Kristjan Shpendin dhe Arbër Hoxhën, të cilët vijuan me vrapime të lehta rreth fushës për shkak të goditjeve dhe ngarkesës së marrë në ndeshjet e fundit. Në “Shtëpinë e Futbollit”, italiani bëri prova edhe për formacionin që pritet të zbresë në fushë kundër Finlandës.

Në portë ai do t’i besojë Etrit Berishës, ndërsa treshja e mbrojtjes do të formohet nga Gjimshiti, Ismajli dhe Mitaj. Në katërshen e mesfushes Maran mendohet të rreshtojë Hysajn nga e djathta dhe Pilon majtas dhe në qendër Asllanin me Ramadanin.

Përpara tyre pritet të luajë Muçi, Laçi dhe Manaj. Kombëtarja ka edhe një seancë të fundit stërvitore për ta zhvilluar përpara ndeshjes me Finlandën.

Të enjten në mbrëmje, Shqipëria do të luajë takimin e parë me një stadium të mbushur plot, pasi është njoftuar që janë shitur të gjitha biletat. Një motiv më shumë për futbollistët kuqezi, që të marrin një rezultat pozitiv dhe të ruajnë pozitat në grup.

/tvklan.al