TV Klan sjell tre premiera ekskluzive të superprodhimeve turke, të cilat do të pasurojnë ekranin me histori të mbushura me sekrete, tradhti, intriga dhe përballje të papritura. “Mashtruesit”, “Tradhtia” dhe “Sprova e Familjes” vijnë me aktorë të njohur dhe histori që premtojnë të mbajnë publikun të mbërthyer pas ekranit.
TVKLAN.AL zbulon ekskluzivisht datat dhe oraret e transmetimit të tre serialeve të reja që nisin së shpejti në Klan.
“Mashtruesit” – Nga 2 nëntori, e hënë – e shtunë, ora 18:20

Nga skenaristja Sema Ergenekon, e njohur për serialet “Sekrete familjare”, “Diamante dhe dashuri” dhe “Dashuri bardh e zi”, si dhe nga regjisori Ali Bilgin, vjen një dramë e mbushur me intriga, ambicie dhe lojëra të rrezikshme.
Në qendër të historisë janë Ertani, një avokat i talentuar, i cili së bashku me të atin, Kadirin, përdor metoda të pazakonta për të fituar çështjet e tyre, dhe Asja, një grua që përballet me vështirësi të mëdha dhe përdor zgjuarsinë e saj për të mbajtur familjen.
Me Hilal Altınbilek, e njohur për rolin e Zylejhas në “Tokë e hidhur”, dhe Burak Deniz në kast, seriali sjell një histori ku e vërteta dhe gënjeshtra ndërthuren në çdo hap. Kush është viktima dhe kush po kontrollon lojën?
“Tradhtia” – Nga 6 nëntori, e hënë – e shtunë, ora 14:30

Nga kompania TIMS&B Productions, regjisori dhe skenaristi i “Tokë e hidhur”, vjen një tjetër superprodhim që ka kaluar kufijtë e Turqisë dhe është shitur në tregje të shumta ndërkombëtare.
Gyzide Yenersoy, e interpretuar nga aktorja Vahide Perçin, është një gjyqtare e respektuar e gjykatës familjare. Për 30 vite, ajo ka besuar se ka ndërtuar një martesë të lumtur dhe një familje të denjë, por një e vërtetë e papritur do të vërë gjithçka në dyshim.
Kur sekretet dalin në dritë, jeta e saj ndryshon dhe besimi te njerëzit më të afërt vihet në provë. Në kast janë gjithashtu Mustafa Uğurlu, Ercan Kesal, Feyza Sevil Güngör, Yusuf Çim dhe Caner Şahin.
“Tradhtia” është transmetuar në tregje të shumta ndërkombëtare, përfshirë Italinë, Spanjën, Ballkanin, Amerikën Latine, Azinë dhe Lindjen e Mesme. Tashmë, publiku shqiptar do të mund ta ndjekë në TV Klan çdo ditë nga e hëna në të shtunë, në orën 14:30.
“Sprova e Familjes” – Nga 7 nëntori, çdo të shtunë dhe të diel, ora 20:05

Një nga premierat e reja sjell në ekran Kenan İmirzalıoğlu, i njohur për rolet e tij në “Ezel”, “Jetë e hidhur” dhe “Sulltan Mehmet”, së bashku me aktoren Afra Saraçoğlu.
Prodhimi i ri i kompanisë OGM, nga regjisori i serialeve “The Tailor”, “Të braktisurit”, “Dhoma e kuqe” dhe “Omer”, i përket sezonit 2026/27 dhe transmetohet njëkohësisht me Turqinë edhe në 25 shtete.
Në qendër të historisë është Doani, një kirurg i suksesshëm që jeton në Izmir dhe që prej vitesh është larguar nga familja pas një ngjarjeje tronditëse me të atin. Kthimi i tij në Stamboll për dasmën e motrës do të sjellë në sipërfaqe trauma të vjetra, sekrete dhe krime të mohuara.
Rrugët e tij kryqëzohen me Çallën, një vajzë të vendosur me ndjenjë të fortë drejtësie, ndërsa Behrami, armiku i përbetuar i familjes Hanxhiollu, kërkon hakmarrje për të kaluarën. Një tentativë për vrasje gjatë natës së dasmës do t’i përkeqësojë konfliktet dhe do t’i vendosë personazhet përballë së vërtetës.
Tre premiera të reja në Klan: Shënoni datat dhe oraret!
“Mashtruesit” 2 nëntor, ora 18:20, nga e hëna në të shtunë.
“Tradhtia” 6 nëntor, ora 14:30, nga e hëna në të shtunë.
“Sprova e Familjes” 7 nëntor, ora 20:05, çdo të shtunë dhe të diel.
Për më shumë informacion, fotografi dhe detaje rreth serialeve, na ndiqni në faqen tonë në Facebook: Serialet TV Klan dhe në Instagram: @seriale.rtvklan.







