Nga kjo e enjte, 19 mars 2026, ekrani i TV KLAN sjell për publikun shqiptar një nga dramat turke më prekëse të viteve të fundit. “Bahar”, prodhim i viteve 2024–2026, do të transmetohet çdo ditë nga e hëna në të shtunë, në orën 14:30 premierë ekskluzive.

“Kur jeta ndalet… fillon Bahar.” Ky është mesazhi që përshkon historinë e një gruaje që përballet me sfidën më të madhe të jetës dhe zgjedh të mos dorëzohet.

Seriali rrëfen historinë e Bahar Yavuzoğlu, e interpretuar nga aktorja e njohur Demet Evgar, një grua që dikur ishte një mjeke e talentuar, por që hoqi dorë nga karriera për t’iu përkushtuar familjes. Një sëmundje e rëndë që i rrezikon jetën bëhet pikë kthese, duke e detyruar të reflektojë mbi sakrificat dhe zgjedhjet e saj.

Nga hija në dritë, Bahar nis një rrugëtim të ri, rikthehet në profesionin e mjekes, përballet me martesën e saj të tronditur dhe kërkon të gjejë veten e humbur. Është historia e një nëne që rilind dhe e një gruaje që vendos të jetojë për veten.

Në krah të saj është Timur, bashkëshorti i saj, një mjek i suksesshëm por emocionalisht i ftohtë, i cili fsheh sekrete që rrezikojnë të shkatërrojnë gjithçka. Ndërkohë, Evren, një mjek idealist dhe i ndershëm, bëhet një mbështetje e rëndësishme për Bahar, duke sjellë edhe një ndjenjë të re në jetën e saj.

Historia ndërlikohet më tej nga prania e Rengin, dashuria e fshehtë e Timurit, si dhe nga Nevra, nëna autoritare e tij, që shton tensionin në familje. Fëmijët e Baharit përballen gjithashtu me ndryshimet e mëdha, duke e bërë dramën edhe më njerëzore dhe reale.

“Bahar” trajton tema të forta dhe aktuale si forca e gruas, sakrifica, dashuria, familja dhe ringritja personale. Është një rrëfim për guximin për të ndryshuar dhe për të gjetur shpresën edhe kur gjithçka duket e humbur.

Me një kast të suksesshëm aktorësh si Demet Evgar dhe Buğra Gülsoy, seriali premton emocione të forta dhe një histori që prek çdo familje.

Mos e humbisni premierën ekskluzive sot, ora 14:30 episodi i parë në TV KLAN.