Franca paralajmëron se do të marrë masa të forta kundër Iranit, pasi zbuloi se Garda Revolucionare iraniane qëndron pas një sulmi kibernetik të paprecedentë që goditi qindra supermarkete franceze.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, thirri për sqarime ambasadorin e Iranit në Paris dhe kërkoi sanksione të menjëhershme në nivel evropian, duke theksuar se autoritetet franceze nuk përjashtojnë asnjë opsion reagimi për të ndalur këto akte agresioni.
Sabotimi ndodhi në muajin tetor, kur hakimi i sistemeve ngriti temperaturat në frigoriferët e qindra dyqaneve, duke detyruar supermarketet të hidhnin sasi të mëdha ushqimesh të prishura.
Prokuroria e Parisit ka nisur tashmë një hetim zyrtar ndaj “Shahid Kaveh”, një njësi e fshehtë e Gardës Revolucionare, dhe ka kërkuar lëshimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare për dy zyrtarë të saj.
Këto sulme nuk u kufizuan vetëm në Francë, pasi në fillim të nëntorit incidente të ngjashme u raportuan në supermarketet e të paktën nëntë shteteve të tjera evropiane ndër të cilat në Gjermani, Spanjë, Itali, Poloni e Britani të Madhe.
/tvklan.al











