Një rrëfim rrëqethës është bërë pjesë e përballjes mes Vilmës dhe nënës së saj, Sabile në studion e “Shihemi në gjyq”. Këtë herë, Vilma ka rrëfyer një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj, humbjen e vajzës 18-vjeçare dhe traumën që, sipas saj, përjetoi pas ndarjes nga jeta të së bijës.
Ajo tregon se kishte vendosur ta digjte vajzën në Itali, pasi nuk e përballonte dot mendimin që ta shihte të prehej në një varr, ndërsa dëshira e saj ishte që hiri të hidhej në det. Por situata mori një tjetër rrjedhë kur ish-bashkëshorti, Artani, i kërkoi të merrte hirin për ta varrosur në Shqipëri.
Në gjendje të rënduar emocionale, Vilma pranoi, por më pas u pendua thellë, duke pretenduar se ish-bashkëshorti i mori gjënë më të shtrenjtë që i kishte mbetur nga vajza.
Eni Çobani: Ju keni një histori shumë prekëse në fakt, keni vendosur që vajzën ta digjni apo jo?
Vilma: Ku vdes vajza, sepse unë e rrita dhe ai më la pak, deri diku që unë të zgjidhja edhe pjesën e vdekjes, dhe aty vendosa gocën për ta djegur. E dogja në Itali dhe ishte dëshira ime që ta hidhja në det, sepse nuk mund ta shihja dot vajzën tek një varr. Një vajzë 18-vjeçe te një varr…ajo ideja ime nuk mund ta shihte dot ashtu. Por, Artani më tha pastaj “mund ta marr unë hirin për ta varrosur në Shqipëri”, po merre i thashë unë, sepse isha një njeri që unë nuk ia prishja.
Sabile: Atë ditë unë kam qëlluar në Itali dhe Vilma vjen në Shqipëri shumë keq, duke qarë me të madhe dhe duke bërtitur “më morri vajzën”.
Vilma: Sepse më mori vajzën!
Eni Çobani: Po pse e le?!
Sabile: E la sepse nuk i thoshte dot jo!
Eni Çobani: Të vetmen pasuri që ishte vajza jote?! Ju ishit të divorcuar, ju kishit pesë vjet që ishit ndarë, vjen burri të marrë hirin e vajzës dhe thotë që ta varrosë në Elbasan! Unë nuk e kuptoj dot.
Vilma: Kur e mori hirin unë kam qenë shumë keq! Unë hirin doja ta hidhja, ajo është diçka morale. Unë i thashë merre, por kur e pashë me hirin e vajzës në krah, pastaj thashë “ më mori dhe gjënë më të shtrenjtë që kisha”.
/tvklan.al




