Tri ndërhyrje kirurgjikale delikate të Arterieve Karodide, të kryera në mënyrë simultane, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u transmetuan drejtpërdrejt për pjesëmarrësit e Kongresit Evropian të Anestezi-Reanimacionit, të mbajtur për herë të parë në Tiranë.
Mjekët patën mundësi të ndiqnin bashkëpunimin mes kirurgëve dhe anestezistëve, si dhe të diskutonin teknikat dhe protokollet e përdorura gjatë operacioneve.
Aktiviteti, i organizuar në bashkëpunim me shoqatën shqiptare të anestezi-reanimacionit, bëri bashkë specialistë shqiptarë dhe evropianë për të shkëmbyer përvoja mbi anestezinë dhe kujdesin intensiv.
“Na shërben për shkëmbimin e përvojave, për implementimin e protokolleve të ndryshme, për vendosjen e standardeve”, tha kreu i Shoqatës së Anestezi – Reanimatorëve, Saimir Kuçi.
Përzgjedhja e anestezisë përshtatet me gjendjen dhe nevojat e secilit pacient. Edhe kur diagnoza është e njëjtë, mënyra e trajtimit mund të ndryshojë. Ndërhyrjet e transmetuara nga QSUT-ja sollën në vëmendje rëndësinë e këtij vlerësimi dhe të koordinimit të ekipit gjatë operacionit.
“Tre tipe të ndryshme anestezish. Ne evitojmë moskryerjen e këtij interventi tek të gjithë pacientët që paraqiten tek ne për këtë patologji, por që kanë të pamundur të marrin vetëm një anestezi”, tha shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare, Sokol Xhepa.
Presidentja e Shoqatës Evropiane të Anestezisë dhe Kujdesit Intensiv, Idit Matot, e vlerësoi këtë përvojë të transmetimit të ndërhyrjeve në kohë reale.
“Nuk kemi pasur më parë ndërhyrje kirurgjikale të transmetuara online, ku kirurgët dhe anestezistët bashkëpunojnë në këtë mënyrë”, tha Presidentja e Shoqatës Evropiane të Anestezisë dhe Kujdesit Intensiv, Idit Matot.
Kongresi u mbajt në një kohë kur, sipas mjekëve, ndërhyrjet në kardiokirurgji janë dyfishuar. Specialistët e lidhin shtimin e nevojës për ndërhyrje edhe me plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundjeve kardiovaskulare. Në kardiokirurgji vetëm gjate një muaji janë kryer 100 ndërhyrje n zemër.
/tvklan.al







