Shqipëria ka arritur të përballojë një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit, duke u shndërruar në një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, edhe pse vazhdon të përballet me sfida të kahershme strukturore në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Që nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019, Shqipëria ka kaluar pandeminë e Covid-19, krizën energjetike që pasoi pushtimin rus të Ukrainës dhe tensionet e reja në Lindjen e Mesme, duke regjistruar një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 4% gjatë periudhës 2022–2025.
Ky ritëm ka vijuar edhe gjatë vitit 2026, me ekonominë që u zgjerua me rreth 3.7% në gjysmën e parë të vitit, e mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme, turizmi dhe investimet, sipas Bankës së Shqipërisë.
“Në një mjedis ndërkombëtar shumë të paqëndrueshëm dhe të pasigurt, kjo ecuri dëshmon rritjen e aftësisë së ekonomisë sonë për t’u përballur me goditjet”, thotë Holta Zaçaj, zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ia atribuon pjesërisht rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë viteve të fundit një kombinimi përgjithësisht të përshtatshëm të politikave makroekonomike, megjithëse paralajmëron për rreziqe në të ardhmen, si pasojë e një mjedisi të jashtëm gjithnjë e më të pasigurt.
Megjithatë, mbeten pikëpyetje nëse modeli aktual i rritjes ekonomike të Shqipërisë mund të krijojë mjaftueshëm vende pune cilësore dhe të mbështesë zhvillimin e industrive me vlerë të shtuar më të lartë.
“Shqipëria po rritet, por pyetja më e rëndësishme është se çfarë lloj ekonomie po ndërton”, thotë Isilda Mara, ekonomiste pranë Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).
Sipas saj, turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë nxitur rritjen ekonomike, por nuk kanë krijuar mjaftueshëm vende pune të qëndrueshme dhe tërheqëse, si dhe nuk kanë forcuar sa duhet bazën prodhuese të vendit.
Pakënaqësia ndaj modelit të zhvillimit të mbështetur te turizmi është shfaqur edhe përmes protestave “Flamingo” në Shqipëri, të cilat nisën në maj kundër një projekti luksoz pranë zonës së ndjeshme mjedisore të Vjosë-Nartës dhe më pas u zgjeruan në kërkesa për më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
“Protestat ngrenë një pyetje themelore ekonomike: zhvillim për kë?”, shprehet Mara.
Ajo sugjeron se protestat mund të pasqyrojnë gjithashtu dëshirën e një pjese të shqiptarëve për të kërkuar ndryshim brenda vendit, në vend që të emigrojnë. Megjithatë, mbajtja e më shumë të rinjve në Shqipëri do të varet nga mundësitë që ekonomia mund t’u ofrojë.
Në mesin e tetorit, studentët u përplasën me policinë gjatë protestave kundër kushteve të dobëta në institucionet arsimore, rritjes së kostos së jetesës dhe korrupsionit të pretenduar në qeveri.
Borxhi publik në rënie
Për momentin, megjithatë, kushtet ekonomike mbeten të favorshme. Në shtator, agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s e përmirësoi perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive.
Daniela Re Fraschini, zëvendëspresidente në Moody’s Ratings, thotë se ky ndryshim pasqyron pjesërisht “forcimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të Shqipërisë”.

Autoritetet kanë zbatuar gjatë viteve të fundit një kombinim të shëndoshë të politikave fiskale dhe monetare, të cilat kanë ndihmuar në kontrollin e inflacionit, uljen e borxhit publik dhe sigurimin e suficiteve të njëpasnjëshme primare buxhetore.
Si rezultat, sipas FMN-së, borxhi i përgjithshëm i qeverisë pritet të zbresë në rreth 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2027, nga 75% në vitin 2020.

Ky përmirësim është mbështetur nga rritja e vazhdueshme ekonomike, e nxitur nga kërkesa e fortë e brendshme, ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe zhvillimi i shpejtë i industrisë së turizmit.
Zaçaj nga Banka e Shqipërisë thotë se papunësia ka zbritur në nivele historikisht të ulëta, ndërsa rritja e pagave dhe kushtet e favorshme të financimit kanë mbështetur konsumin e familjeve.
“Kërkesa e brendshme ka të ngjarë të mbetet motori kryesor i rritjes, e mbështetur nga rritja e të ardhurave dhe zgjerimi i vazhdueshëm i kreditimit”, shprehet ajo.
Turizmi ka ndikuar gjithashtu në rritjen e të ardhurave nga eksportet dhe investimeve në strukturat akomoduese dhe ndërtim.
Sipas INSTAT-it, numri i hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është më shumë se dyfishuar, nga 5.7 milionë në vitin 2021 në 12.5 milionë në vitin 2025.
Moody’s pret që turizmi të përfitojë nga zgjatja e sezonit dhe orientimi drejt shërbimeve me vlerë më të lartë, megjithëse Re Fraschini paralajmëron se “rritja ka të ngjarë të ngadalësohet ndërsa sektori arrin një fazë më të pjekur zhvillimi”.
Shqipëria ngushton hendekun e të ardhurave me BE-në
Shqipëria ka arritur njëfarë përparimi në ngushtimin e diferencës së të ardhurave me Bashkimin Europian.
Zaçaj thotë se vendi “ka bërë përparim të konsiderueshëm në afrimin e niveleve të të ardhurave me Bashkimin Evropian”.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se PBB-ja për frymë, e përshtatur sipas fuqisë blerëse, është rritur nga 31% e mesatares së BE-së në vitin 2021, në një nivel të vlerësuar prej 43% në vitin 2025.
Megjithatë, përmirësimi i standardit të jetesës nuk i ka zgjidhur problemet e tregut shqiptar të punës.
Mara tërheq vëmendjen te rritja e punësimit të shtetasve të huaj, në një kohë kur papunësia e të rinjve mbetet e lartë.
“Vende pune ka, por disa prej tyre janë sezonale, paguhen pak ose ofrojnë mundësi të kufizuara për zhvillim profesional. Të rinjtë shqiptarë mund të preferojnë të largohen nga vendi në vend që t’i pranojnë këto punë”, thotë ajo.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) identifikon përmirësimin e aftësive profesionale, rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, nxitjen e kthimit të emigrantëve dhe luftën kundër informalitetit si prioritete për rritjen e produktivitetit.
“Me një popullsi që po plaket dhe me emigracionin që po tkurr fuqinë punëtore, përparësia është rritja e produktivitetit përmes aftësive profesionale, pjesëmarrjes më të lartë në tregun e punës, kthimit të emigrantëve dhe formalizimit të ekonomisë”, thotë Hannes Takacs, drejtues i BERZH-it në Shqipëri.
Ai sheh gjithashtu mundësi për diversifikimin e ekonomisë përmes bujqësisë dhe turizmit me vlerë të shtuar më të lartë, industrisë përpunuese të lidhur me zinxhirët europianë të furnizimit, energjisë së rinovueshme dhe shërbimeve të bazuara në teknologji.
Në qendër të këtyre ambicieve qëndron objektivi i kahershëm i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, një proces që ka marrë hov gjatë viteve të fundit dhe mund të përshpejtojë reformat ekonomike dhe integrimin me tregun europian.
Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave, duke mbyllur përkohësisht tre të parët në korrik, dhe synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027.
“Procesi i anëtarësimit në BE është një pikë mbështetëse thelbësore për axhendën e reformave të Shqipërisë dhe një faktor i rëndësishëm mbështetës për profilin e saj të kreditit”, thotë Re Fraschini.
Megjithatë, Moody’s pret që anëtarësimi i plotë të kërkojë më shumë kohë sesa parashikojnë aktualisht autoritetet shqiptare.
Reformat sjellin përfitime ekonomike
Mundësitë ekonomike që lidhen me procesin e integrimit europian janë të konsiderueshme.
Shqipëria ka një fond orientues prej 922.1 milionë eurosh në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes së BE-së për periudhën 2024–2027, përfitimi i të cilit kushtëzohet me zbatimin e reformave të dakordësuara.
Takacs nga BERZH thotë se anëtarësimi eventual në BE “do të sillte fonde më të mëdha europiane, një prim më të ulët rreziku dhe integrim më të thellë në tregun e përbashkët”.
Ai identifikon mundësi të veçanta në “industrinë përpunuese të lidhur me zinxhirët e furnizimit të BE-së, energjinë e rinovueshme dhe interkonjeksionin, turizmin gjithëvjetor me vlerë më të lartë, industrinë agro-ushqimore, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, shërbimet e biznesit dhe logjistikën”.
Megjithatë, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon forcimin e zbatimit të kontratave, prokurime transparente, uljen e informalitetit, përmirësimin e arsimit dhe aftësive profesionale, si dhe integrim më të ngushtë me tregun energjetik të Bashkimit Evropian, sipas Takacs.
“Nëse reformat zbatohen në praktikë, anëtarësimi mund të përshpejtojë rritjen ekonomike dhe ta vendosë Shqipërinë në një rrugë të besueshme të afrimit me nivelet e zhvillimit të BE-së”, thotë ai.
Ndërsa ekonomia shqiptare vazhdon të transformohet, Zaçaj nga Banka e Shqipërisë beson se vendi ndodhet në një pozicion më të favorshëm për t’u përballur me sfidat e ardhshme.
“Shqipëria hyn në këtë periudhë nga një pozicion dukshëm më i fortë sesa në të kaluarën”, përfundon ajo./Përshtati nga The Banker, ekofin.al












