Nga Brukseli ku merr pjesë në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkoi që procesi i integrimit të dalë nga zyrat burokratike dhe të lidhet me ekonominë reale.

Dobësimi i prodhimit dhe mungesa e investimeve në produktivitet thotë ajo po pengojnë bizneset shqiptare të përfitojnë nga tregu europian.

Sipas saj, kjo strukturë e ekonomisë kufizon mundësitë për eksport dhe konkurrencë.

“Në letër integrimi ekonomik edhe mund të ketë ndodhur, por në praktikë nuk ka ndodhur. Shqipëria nuk prodhon dhe e ka të pamundur që të eksportojë. Prodhimi në Shqipëri është në nivelin më të ulët të mundshëm, në 10,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Industria përpunuese në 6,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërkohë që ndërtimi ka shkuar në 12,6%; përsëri është rritur edhe këtë vit. Tani, çfarë të eksportojë Shqipëria kur nuk ka prodhim, kur nuk ka produktivitet, kur nuk investon as tek inovacioni, nuk investon as tek produktet e reja?”, tha deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Që të ndodhë integrimi ekonomik Tabaku thotë se, kërkohet ndryshim i politikave të taksave dhe mbështetje për sipërmarrjet që prodhojnë.

“Integrimi ekonomik kërkon investime. Integrimi ekonomik kërkon biznese që prodhojnë. Integrimi ekonomik kërkon një ekonomi që punon për shumicën, një sistem të ndryshuar ekonomik, me një bazë taksash të drejta dhe të ndershme, por njëkohësisht stimulues për sa i përket produktivitetit”, tha Tabaku.

Pa prodhim dhe vetëm me” ligje në letër”, Tabaku këmbëngul se ekonomia shqiptare e ka të pamundur që të jetë produktive për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët.

/tvklan.al