Shqipëria e veriut dhe zonat e saj rurale po tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare për një tjetër pasuri turistike, kullat tradicionale prej guri, të rikthyera në jetë si bujtina për vizitorët. Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, në një artikull të publikuar së fundmi, i kushton një reportazh këtij modeli të turizmit, që ndërthur trashëgiminë kulturore, natyrën dhe mikpritjen shqiptare.
Në fokus është një itinerar i ri turistik, i njohur si “Shtegu i Kullës”, i zhvilluar nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit. Rruga shtrihet në mbi 160 kilometra dhe përshkon zonat e Mirditës, Matit, Bulqizës dhe Dibrës, duke u ofruar turistëve një udhëtim nëntëditor nëpër fshatra tradicionalë, pyje, lugina lumenjsh dhe peizazhe malore.
Sipas “The Guardian”, kullat shqiptare dikur shërbenin si fortifikime për mbrojtjen e familjeve dhe si strehë për udhëtarët. Shumë prej tyre u braktisën gjatë dekadave të fundit, ndërsa sot po restaurohen dhe po kthehen në struktura akomoduese.
Reportazhi vë në pah edhe mikpritjen tradicionale shqiptare, ushqimin karakteristik dhe mundësinë për të përjetuar nga afër jetën në fshatrat malorë. Sipas gazetës britanike, ky model mund të krijojë mundësi të reja ekonomike për komunitetet rurale dhe të ndihmojë në ruajtjen e traditave që rrezikojnë të zhduken për shkak të largimit të banorëve.
Në përfundim, “The Guardian” e konsideron turizmin e kullave një mundësi për të zbuluar një Shqipëri tjetër, larg destinacioneve të mbipopulluara bregdetare, ku trashëgimia dhe mikpritja mund të kthehen në një motor të zhvillimit lokal.
Klan News
/tvklan.al






