Arsène Wenger mund të jetë emri që do të sfidojë Gianni Infantinon për presidencën e FIFA-s në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen në mars të vitit 2027.

Sipas mediave ndërkombëtare, ish-trajneri legjendar i Arsenalit po e shqyrton seriozisht mundësinë për të hyrë në garë, pas një serie përpjekjesh nga figura të rëndësishme të futbollit evropian për ta bindur që të marrë këtë përgjegjësi.

UEFA pritet të përcaktojë kandidatin e saj deri më 18 nëntor, datë që shënon edhe afatin e fundit për konfirmimin e kandidaturave.

Megjithatë, njerëzit pranë Wengerit bëjnë me dije se francezi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Një prej pikëpyetjeve rreth kandidaturës së tij lidhet me moshën. Wenger është 77 vjeç, ndërsa disa prej mbështetësve të tij kanë sugjeruar se ai mund të marrë drejtimin e FIFA-s dhe më pas të tërhiqet përpara përfundimit të një mandati të plotë katërvjeçar.

Nga ana tjetër, pozicioni i Gianni Infantinos është përballur me kritika pas polemikave rreth projektit FIFA Forward Enterprise (FFE), që parashikonte shitjen e aksioneve komerciale të Kupës së Botës te investitorët privatë.

Nisma u tërhoq pas kundërshtimeve dhe kërkesave të UEFA-s për më shumë transparencë.

56-vjeçari Infantino ka njoftuar tashmë qëllimin e tij për të kandiduar për një mandat të katërt si president i FIFA-s, një pozicion që e ka mbajtur që nga shkurti i vitit 2016.

Ai mund të përballet me konkurrencën e Kozo Tashima, presidentit nderi të Shoqatës së Futbollit të Japonisë, i cili ka deklaruar qëllimin e tij për të kandiduar.

Ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Ramon Vega, gjithashtu ka njoftuar dëshirën për të qënë kandidat.

Kandidatët e mundshëm duhet të sigurojnë nominime nga të paktën pesë shoqata anëtare të FIFA-s para afatit të 18 nëntorit.

Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 18 mars 2027, gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut.

Klan News

/tvklan.al