Edhe pse Kupa e Botës ka ulur siparin, debatet rreth saj vijojnë. Në qendër të vëmendjes është rikthyer rasti i sulmuesit të Shteteve të Bashkuara, Folarin Balogun, pezullimi i të cilit u anulua pas një kartoni të kuq, duke i hapur rrugën aktivizimit të tij në fazën e 1/8-ave.
Federata Norvegjeze e Futbollit ka bërë të ditur se do t’i drejtohet FIFA-s me një ankesë zyrtare, duke kërkuar sqarime dhe një hetim të plotë mbi procedurën që çoi në ndryshimin e vendimit.
Presidentja e federatës, Lise Klaveness, ka paralajmëruar se raste të tilla mund të krijojnë precedentë të rrezikshëm dhe të ndikojnë në besimin ndaj institucioneve sportive ndërkombëtare.
Sipas pretendimeve të publikuara, presidenti amerikan Donald Trump kishte kontaktuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të diskutuar kartonin e kuq të Balogun, të cilin e konsideronte një vendim të padrejtë.
Pikërisht ky pretendim ka rikthyer debatin mbi kufirin mes politikës dhe sportit, si dhe mbi pavarësinë e vendimmarrjes në institucionet e futbollit.
Balogun u ndëshkua me karton të kuq në përballjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës, por më pas, masa disiplinore ndaj tij u anulua.
Sulmuesi amerikan u aktivizua në sfidën ndaj Belgjikës, megjithëse Shtetet e Bashkuara u eliminuan nga Botërori pas humbjes 4-1.
Norvegjia kërkon që rasti të analizohet me transparencë të plotë, me qëllim që rregullat të zbatohen njësoj për të gjitha kombëtaret dhe që vendimet sportive të mos ndikohen nga faktorë jashtë fushës së lojës.
Klan News
/tvklan.al








